Arbëri

Vera e përgjysmuar pa mërgimtarët

Vera e përgjysmuar pa mërgimtarët
Arta Kryeziu-Osmani, edukatore sociale në mësimin shkollor në Gjenevë, me Enea Osmanin (10), e madhja prej tri vajzave të saj

Gazmend Dashi mezi pret verën që me familje të marrë rrugë nga Pfaffenhofeni i Bavarisë drejt vendlindjes në Stagovë të Kaçanikut. Shumicën e herëve vjen qëllimshëm me makinë që t’ua rrëfejë tre fëmijëve historinë e viseve të ndryshme shqiptare. Edhe në marsin e sivjetmë, kur pandemia nisi të përhapej me të madhe edhe në shtetet e Bashkimit Evropian, Dashët ende shpresonin se do t’i kalonin pushimet verore në shpatet e fshatit malor të qytezës jugore të Kosovës.

“Po, gjithsesi, kemi planifikuar pushimet në Kosovë”, thekson që në krye të bisedës virtuale kryefamiljari Dashi, aktivist i njohur i shoqatës “Sali Çekaj” – dikur “Fan Noli” në qytetin jugor të Gjermanisë. Sikurse ai, edhe shumë mërgimtarë të tjerë kishin planifikuar pushimet dyjavore për festën e Pashkëve gjatë freskisë pranverore, apo gjatë muajve të nxehtë të verës. Megjithatë, virusi me kurorë ia ka ndryshuar planet Dashit. Dhe shumë të tjerëve, shkruan KOHA Ditore.