Arbëri

Kosova mbështet shpresat te Gjermania për liberalizimin e vizave

Descriptive Text

Gjermania ka rikonfirmuar se pozicioni i saj për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës mbetet i pandryshuar. Zyrtarë të Qeverisë së saj kanë thënë se do të vazhdojnë ta mbështesin liberalizimin, përfshirë edhe në periudhën 1 korrik - 31 dhjetor të këtij viti, kur ky shtet e drejton Këshillin e Evropës. Por pengesë, sipas njohësve të integrimeve, mund të jenë Franca dhe disa nga vendet skandinave

Kosova shpreson që pritjes gati 10-vjeçare për liberalizimin e vizave t’i vijë fundi gjatë pjesës së dytë të këtij viti. Mbështetja e Gjermanisë në këtë proces vlerësohet me shumë peshë, për më tepër që ky shtet nga 1 korriku merr kryesimin e Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian. Një zyrtar i lartë në Qeverinë gjermane i ka thënë KOHËS se pozicioni i shtetit gjerman, kur bëhet fjalë për liberalizimin, mbetet i pandryshuar - mbështetja do të vazhdojë. Por për liberalizimin e vizave për Kosovën duhet mbështetja e të gjitha vendeve anëtare të BE-së. Franca, deri tash, ka qenë më skeptikja.

“Pozicioni gjerman për liberalizimin e vizave mbetet i pandryshuar: Ne mbështesim liberalizimin e vizave në bazë të përmbushjes së kritereve të përcaktuara. Vendimi për liberalizim të vizave tash është në kompetencën e anëtarëve të Këshillit të Bashkimit Evropian”, ka thënë zyrtari gjerman në kushte anonimiteti.

Sipas tij, vendet e Ballkanit Perëndimor janë bashkë dhe janë partnerë të rëndësishëm për Gjermaninë në kuadër të Presidencës së Këshillit të Bashkimit Evropian.

Zyrtarë në Kosovë në vazhdimësi shprehen se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara për liberalizimin e vizave, kësisoj, presin që BE-ja ta mbajë fjalën.

Demush Shasha, drejtor i Institutit EPIK, në një deklaratë për KOHËN ka theksuar se Presidenca ka fuqi të konsiderueshme pasi që përfaqëson të gjitha vendet anëtare në kuadër të funksionimit të institucioneve të BE-së. Gjithashtu, Gjermania do të kryesojë takime të Këshillit të BE-së, me përjashtim të Këshillit për Punë të Jashtme, i cili kryesohet nga përfaqësuesi i lartë, Josep Borell. Si e tillë, ka thënë ai, Presidenca ka fuqi të influencojë procese të ndryshme, qoftë për të përshpejtuar apo për të ngadalësuar progresin.

E sa i përket procesit të liberalizimit të vizave, thotë Shasha, ekzistojnë mundësi reale në favor të Kosovës.

“Gjatë Presidencës gjermane të Këshillit të BE-së ekzistojnë gjasat reale për të siguruar përfundimin e procesit vendimmarrës brenda institucioneve të BE-së për liberalizimin e vizave. Kjo, pasi që Gjermania tani më është deklaruar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën dhe pasi që Gjermania në cilësinë e Presidencës së BE-së do ta përfaqësojë vendin më të fuqishëm të BE-së i cili do të jetë në gjendje të influencojë agjendën vendimmarrëse”, është shprehur Shasha.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon-Taubadel, në një deklaratë për KOHËN, ka thënë se sheh sinjale pozitive në Berlin, megjithatë, sipas saj tash i takon Këshillit të BE-së të vendosë për çdo gjë.

“Unë shoh disa sinjale pozitive. Në Berlin janë shumë njerëz që e kuptojnë rëndësinë e kësaj çështjeje, prandaj ata do ta ngrenë këtë çështje, me siguri. Në Parlamentin Evropian javën e kaluar është votuar me shumicë të madhe një raport rreth një rekomandimi të Parlamentit Evropian për Këshillin, për Komisionin dhe për zëvendëskryetarin e Komisionit / përfaqësuesin e lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë rreth Ballkanit Perëndimor, pas samitit të 2020-s. Tani i takon Këshillit të BE-së të vendosë për këtë çështje”, ka deklaruar Von Cramon.