Arbëri

Petritsch: Mundësi për BE-në për të rikthyer rolin e udhëheqjes së dialogut

Wolfgang Petritsch, ish-i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për Kosovën në periudhën e viteve 1998-99, dhe shefi negociator i BE-së në bisedimet paqësore të Kosovës në Rambuje dhe Paris, ka thënë në një intervistë për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë se iniciativa amerikane për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, mund të konsiderohet e vdekur, pas zhvillimeve të fundit politike në Kosovë.

Eksperti për Ballkanin beson se në Kosovë duhet mbajtur zgjedhje të reja, dhe deri atëherë, Prishtinës zyrtare do t’i mungojë një përfaqësues i fuqishëm në procesin dialogues. Për dallim prej iniciativës amerikane, Petritsch beson se Bashkimi Evropian ka para vetes një mundësi të papritur për t’u kthyer në rolin udhëheqës të bisedimeve.

Ai ka thënë se ka qenë skeptik për dialogun e udhëhequr nga SHBA-ja, pasi sipas tij, pa evropianët nuk do të funksiononte.

Sipas tij, mënyra sesi është kryer kjo diplomaci amerikane nuk do t’i çonte gjërat përpara.

“Në kohën kur nuk ekziston konflikt ushtarak në rajon, duhet ta shfrytëzoni kohën dhe të merrni gjëra nga të dyja palët. Ana e vetme pozitive e kësaj qasjeje është se presidentët e të dyja vendeve, Prishtinës dhe Beogradit, kanë treguar gatishmëri për ta zgjidhur këtë çështje në mënyrë paqësore, përmes rrugëve politike dhe atyre diplomatike. Kjo mënyrë e gjetjes së një kompromisi në tavolinën negociuese është diçka e çuditshme për rajonin dhe kjo në njëfarë mënyre përbën përparim, që veçse është arritur nga Bashkimi Evropian në të kaluarën në procesin dialogues”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se është e pazakontë ngritja e aktakuzës në një kohë si kjo.

Pestrich thotë se ekziston mundësia të ketë konflikt të brendshëm amerikan mes prokurorit që është emëruar nga administrata dhe shqetësimeve se Grenell mund të arrijë marrëveshje që lidhet me Gjykatën Speciale.

“Kjo mund të jetë njëra mundësi. Në anën tjetër ka supozime, që për mua janë të dyshimta, se kjo mund të jetë iniciativë evropiane për të penguar dialogun e Uashingtonit.Pra, sinqerisht nuk e di, mund të hamendësoj, çfarë ka pak vlerë, sepse ajo është publikuar tani. Kjo gjë tani përbën ndryshim në politikën kosovare. Tani është e qartë se evropianët kanë përpara një mundësi të papritur për t’u kthyer sërish në rolin udhëheqës në këtë çështje. Unë do të paralajmëroj Brukselin që të mos niset pa amerikanët. Ndoshta tani do të jetë jashtëzakonshme e vështirë për të bashkëpunuar me Grenellin dhe Trumpin, mirëpo në periudhë afatgjatë, sidomos pas nëntorit, evropianët duhet të përfshijnë sërish amerikanët në këtë process”, ka thënë ai.

Ai ka deklaruar se pa prezencën e presidentit Thaçi, pozicioni i Kosovës do të dobësohet masivisht.

Sipas tij ka ekzistuar një lloj i besimit në mes të presidentëve Vuçiq dhe Thaçi dhe tani edhe Beogradi duhet të rishqyrtojë se kush do të jetë negociatori kryesor në anën e tij.

“Vuçiq dihet se ka më së shumti fuqi dhe ndikim, por sa i përket Prishtinës nuk e di. Para mbajtjes së zgjedhjeve në Kosovë, frikësohem se nuk do të ketë ndonjë partner të besueshëm. Marrë parasysh të kaluarën dhe protokollet, natyrisht se një president duhet ta ketë përballë një president dhe jo një kryeministër mirëpo sa i përket gjetjes së një zgjidhjeje pragmatike, Lajçak duhet të bisedojë me të dyja palët se çfarë mendime ekzistojnë në Beograd, sidomos në Beograd, por dhe në Prishtinë”, ka thënë ai.