2 perditesime
12:55

Thaçi mbërrin në Tiranë, të dielën mban fjalimin e parë pas ngritjes së aktakuzës

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka mbërritur në Tiranë nga Vjena.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se vetëm të dielën do t’u drejtohet qytetarëve për gjithë atë që ndodhi këtë javë.

Të mërkurën, Gjykata Speciale ngriti aktakuzë ndaj tij dhe kreut të PDK-së, mirëpo që nga atëherë nuk ka folur publikisht për këtë.

“Motra dhe vëllezër. Miq të dashur. Sapo kam zbritur në Aeroportin ‘Nëna Terezë’ në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara. Gjithmonë i juaji, deri në fund”, ka shkurar Thaçi në Facebook.

11:46

REL: Thaçi në Vjenë, po e pret fluturimin për Prishtinë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ende nuk ka folur për media qëkur u ngrit aktakuzë ndaj tij nga Specialja, të mërkurën.

Ai ishte rrugës për Washington kur aktakuza u publikua, për çka anuloi vizitën.

Radio Evropa e Lirë shkruan sot, se sipas burimeve të saj, Thaçi ndodhet në Vjenë dhe se po e pret fluturimin për Prishtinë.

Më herët është raportuar se Thaçi mund të kthehet edhe përmes linjës Vjenë – Tiranë.

Thaçi sot shkroi në Facebook se “Askush nuk mund ta rishkruajë historinë”, që është reagimi i tij i vetëm që nga e mërkura.

10:40

Thaçi: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi vazhdon të mos flasë për aktakuzën që Specialja ka ngritur ndaj tij, të mërkurën.

Dy reagimet e vetme të tij kanë ardhur përmes Facebookut. Dje, ndërroi fotografinë e murit në Facebook, duke e vënë emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndërkohë sot e ka edituar atë, duke ia vënë edhe përshkrimin: Askush nuk mund ta rishkruajë historinë.

Ndaj Thaçit, kreut të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë të ditur, sipas aktakuzës, “pretendohet se janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje”.

Për shkak të aktakuzave, dështoi edhe takimi i 27 qershorit në Washington, ku ishte paraparë të ketë takim mes krerëve të Kosovës dhe Serbisë.