Arbëri

Mosmbajtja e dasmave dëmton 30 biznese të tjera

Dasmat janë një nga burimet kryesore të të hyrave jo vetëm në Prizren por në gjithë vendin, ka thënë Varis Xhejlani, kryetari i bordit të shoqatës “Esnaf” në Prizren.

Sipas tij, vetëm në vitin e kaluar në rajonin e Prizrenit janë mbajtur rreth 1700 dasma, derisa një dasmë kushton mbi 20 mijë euro.

Xhejlani në “Express Intervista” në KTV ka thënë se ai nuk po kërkon që dasmat të mbahen vetëm për hir të pronarëve të sallave të dasmave, por me këtë aktivitet përfshihen së paku 30 biznese të tjera.

“Nga dasma nuk përfitojnë vetëm sallat, por është një zinxhir i gjatë i bizneseve të përfshira. Me mos mbajtjen e tyre po dëmtohen sallonet e ondulimit, rrobaqepësit, ata që shesin këpucë, zinxhiri ushqimor dhe i pijeve, muzikantët, kameramanët, fotografët, ata që shesin mobile, ata që merren me dekor e shume e shumë të tjerë”, ka thënë Xhejlani.

“Po bëhet një diskriminim në këtë sektor, sepse nëse janë hapur qendrat tregtare, gastronomia, “pubet” e shumë biznese tjera, pse të mos organizohen edhe dasmat?”, ka deklaruar ai.

Kjo shoqatë ditë më parë kishte organizuar një tubim ku do të kërkohej mbajtja e dasmave por më pas tubimi u anulua.

Por Varis Xhejlani tha se ai personalisht mbrëmë është kontaktuar nga ministri i shëndetësisë Armend Zemaj dhe i është premtuar se dasmat pavarësisht rrethanave do të mbahen nga data 1 korrik.