Arbëri

Thaçi rihap temën e bashkimit të Luginës me Kosovën para nisjes për në SHBA

Foto: Alban Bujari

Presidenti i vendit Hashim Thaçi ka hapur temën e bashkimit të Luginës së Preshevës me Kosovën.

Ai ka thënë se është ithtar i bashkimit të Luginës me Kosovën dhe se nuk mund të ketë përmbyllje të konfliktit Kosovë – Serbi pa përcaktimin e vijës kufitare mes dy vendeve.

Në një intervistë për KP-në, tri ditë para takimit Kosovë – Serbi në Washington, Thaçi ka thënë se kjo çështje është parimore, sikur që sipas tij, në kryeqendrën e SHBA-së do të ketë biseda parimore.

“Nuk ka marrëveshje mes dy vendeve sovrane pa demarkimin e kufirit, pa caktimin e vijës kufitare prej ekspertëve të dy vendeve. Kjo është metodologjia që ndiqet në rastin e arritjes së marrëveshjes për njohje reciproke mes dy vendeve. Ata që mendojnë ndryshe tregohen injorant edhe në politikë e diplomaci dhe në të gjitha sferat tjera. Demarkimi natyrisht se do të bëhet në vijat aktuale, por duhet të përmbyllet. Kjo hap tema dhe diskutime të ndryshme, unë nuk jam ekspert në këtë drejtim, por nuk mundet të ketë përmbyllje të konfliktit Kosovë-Serbi pa përcaktimin e vijës kufitare, të demarkimit. Natyrisht unë kam qenë, jam dhe do të mbetem ithtar i fuqishëm që Presheva, Medvegja dhe Bujanoci t’i bashkëngjiten Kosovës. E di se do të jetë shumë vështirë, por mua nuk më pengon që këtë çështje të shtrojë në tavolinë gjithmonë. Këtë çështje nuk e ka monopol askush dhe nuk është pronë e askujt, siç nuk është as e imja, është çështje parimore dhe në Uashington do ketë biseda parimore të qëndrueshme”, ka thënë Thaçi për KP-në.

Thaçi kishte institucionalizuar kërkesën e përfaqësuesve të Luginës për bashkim me Kosovën, sipas plebishitit të vitit 1992. Kjo mbështetje e presidentit erdhi pas ai lansoi idenë e korrigjimit të kufijve në vitin 2017.

Thaçi dhe përfaqësuesit e Luginës i kishin kërkuar Kuvendit të Kosovës që të miratonte një rezolutë ku përfshiheshin kërkesat e tyre, por kjo nuk ka marrë mbështetjen e partive parlamentare.

Edhe pse ideja e tij është parë si eufemizëm për shkëmbimin e Luginës me veriun e vendit, Thaçi ka mohuar se Kosova do të japë diçka në këmbim Preshevës, Medvegjës e Bujanocit. Pasi kjo ide e tij u kundërshtua nga shumë vende evropiane, sidomos Gjermania, Thaçi u zmbraps duke thënë se marrëveshja duhet në bazohet në Kushtetutën dhe kufijtë aktual.

Në dialogun e deritashëm të zhvilluar në Bruksel, i cili është udhëhequr kryesisht nga Thaçi asnjëherë nuk është ngritur si çështje problemi i shqiptarëve në Luginë.

Në takimin e 27 qershorit në Washnigton, është konfirmuar se do të bisedohet vetëm për çështje ekonomike.