Arbëri

Pandemia e dëmtoi buxhetin për 133 milionë euro

 

Të hyrat buxhetore në periudhën mars-maj 2020 janë ulur për 133 milionë euro, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2019, bëhet e ditur në raportin e Institutit GAP, publikuar të dielën. Qëllimi i raportit, sipas këtij instituti, është paraqitja e ndikimit të krizës së shkaktuar nga pandemia COVID-19 në të hyrat, shpenzimet dhe deficitin fiskal të vitit 2020, si dhe kufizimet dhe mundësitë që ka Qeveria e Kosovës për adresimin e krizës në aspektin buxhetor.

“Në periudhën mars-maj 2020, kur ishin ndalur shumica e aktiviteteve në sektorin privat dhe atë publik në Kosovë për shkak të pandemisë COVID-19, të hyrat buxhetore ishin për 133 milionë euro (28.2%) më të ulëta së në periudhën e njëjtë të vitit paraprak, ndërsa shpenzimet për 4.7 milionë euro (1%) më të ulëta. Rënia e të hyrave krahas rritjes së shpenzimeve, do të bëjë që për herë të parë të tejkalohet rregulla e deficitit buxhetor. Me gjithë rritjen e deficitit, Kosova pritet ta ketë nivelin më të ulët të borxhit publik në rajon”, thuhet në raportin “Ndikimi i pandemisë COVID-19 në buxhetin e Kosovës”.