4 perditesime
00:21

Ismaili: Kurti nuk u mor me pandeminë, pati shkelje të mëdha

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Albin Kurti nuk është marrë me pandeminë, derisa ka theksuar se ka bërë shkelje të mëdha gjatë kësaj kohe.

Ai gjithashtu ka folur për mënyrën se si është zgjedhur Qeveria Hoti, derisa ka komentuar edhe votën e deputetit Haxhi Shala.

“Formimi i Qeverisë as nuk ka gëzuar se si është bërë, as nuk jemi idhnuar për formën siç e ka bërë. Shala nuk ka thënë se i kanë bërë presion. Është vendim i deputetit Shala ta dërgojë votën e tij kudo me bindje të veta. Secili deputet ka përgjegjësi të votojë me bindje të veta”, ka thënë ai.

Tutje ai ka folur edhe për Kurtin, për të cilën thotë se ka ndryshuar qëndrimet ende pa ardhur në qeverisje.

“Ti e ke Albin Kurtin që një mori veprimesh që i ka gëlltitë dhe i ka harruar në ditët e para të qeverisjes, e bile edhe para qeverisjes. Ne nuk i kemi thënë argat i Serbisë dhe nesër profesor i nderuar. Kur unë e shpalli dikë që është punëtor i Serbisë në Kosovë të jesh i bindur se sa të jetë jeta e gjatë unë nuk bashkëpunoj me dikë. Nuk ka ofendim më të madh për një politikan që i bie se merr vota nga qytetari dhe punon në dobi të Serbisë, nuk ka”, ka thënë Ismaili.

Megjithatë, kur është pyetur për ofendimet e presidentit Thaçi ndaj Vjosa Osmanit ai nuk i komentoi ato.

“Presidenti nuk është një person i ri në politikë dhe ka një përvojë dhe në bazë të saj i zgjedh deklaratat e tij. Akuzat e pabaza janë nisur shumë nga Kurti e Osmani. Sa tradhtari është shpallë në Kosovë, sa shitësi i tokave, sa blerësi, sa krimineli. Është krijuar kjo klimë sa s’ka mbetur tjetër pos do të fillojmë të quajmë krejt kush ka mundësi”, ka thënë Ismaili.

Sipas tij platforma e PDK-së është më e mirë se e VV-së dhe e LDK-së.

“Kjo është arsyeja se pse platforma jonë nënkupton se nuk duhet të zgjedhur mes lëvizjeve ekstreme majtiste të Kurtit dhe ekstremizmit të tij po as paaftësisë dhe mosguximit të LDK-së. Ofertat janë të reja, sepse ndërrojnë nevojat. Mund të flasim në ngritjen e rrogave në sistemin shëndetësor, pasi në të tjerat i kemi bërë. Tani kemi një ofertë pasi ka një indinjatë të qytetarëve ndaj politikës në Kosovës. PDK-ja e ka një traditë të mbajtjes së premtimeve, kemi pasur edhe gabime në qeverisjen tonë por kemi filluar qysh herët t’i korrigjojmë ato. Filluam ti bëjmë gjërat edhe më herët”, ka thënë Ismaili.

Tutje ai ka akuzuar Kurtin për shkelje të ndryshme gjatë pandemisë.

“Kurti nuk është marrë me pandeminë, që është një deformim interesant. Kurti e ka deleguar të ministria e Shëndetësisë, ka pasur shkelje të mëdha. Qeveria e tij ishte shkelëse e kushtetutës dy herë dhe për mua është shqetësuese. Nuk ka shkelje kushtetuese që thotë se po e cenoj kushtetutën. Në demokraci ti e ndal sepse ajo mund të bëhet model. Ajo ishte evidente për të gjithë, përpos zyrës së kryeministrit dhe ministrin e shëndetësisë”, ka thënë Ismaili.

Tutje ai ka thënë se pandemia ka trumpetuar dy gjëra.

“Qeveria Kurti arriti të instalojë disa modele, që sot në botë, janë duke u ngritur që pandemia të mos lejojë dy gjëra; të mos lejojë kërcënimin e demokracisë dhe të mos lejojë abuzimin me fonde. Të dy këto janë elemente që po trumpetohen nga organizatat që shtetet duhet të kenë kujdes”, ka thënë ai.

Sipas tij pandemia nuk është menaxhuar në mënyrën se si është dashur.

“Them se nuk është menaxhuar si duhej. Kemi pasur shkelje të drejtave të njeriut, tentim të kërcënimit të gjykatës Kushtetuese, dhe dy herë shkeljen e Kushtetutës. Janë bërë blerje që nuk përkojnë me çmimet reale në treg për të cilat ende nuk e dimë se si ka ndodhur në proces. Ka blerje 3-4 mijë për qind më shtrenjtë se sa çmimi që duhej të ishte. Edhe karantina ishte një brengë e madhe”, ka thënë Ismaili.

00:04

Ismaili: Kurti i iku përgjegjësisë për dialogun, Hoti po e konsideron si fontanë dëshirash

Sipas deputetit të PDK-së Uran Ismaili, ish-kryeministri Albin Kurti dhe kryeministri aktual Avdullah Hoti nuk kanë treguar guxim për t’u marrë me çështjen e dialogut me Serbinë. Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se ka parë te të dy liderët mosguxim që të veprojnë bazuar në pozicionin që kanë pasur apo kanë.

Ai ka thënë se kryeministri i ri i Kosovës po e konsideron dialogun sikur “fontanë dëshirash”.

“Zoti Hoti po sillet sikurse dialogu është fontanë dëshirash. Po flet duke i harruar që dialogu është i bazuar në përgjegjësi institucionale. Bile Gjykata Kushtetuese ka treguar se kryeministri ka përgjegjësi për të udhëhequr dialogun, ashtu siç e sheh presidentin për politikë të jashtme. Ai po jep ide të cilat me një fjalë më duken sikur fshehje prapa akterëve, pamë në Akademinë e Shkencave tani do të krijojë forume të reja. Duhet ta kuptojë që është kryeministër, e po më duket akoma s’e ka kuptuar. Ka përgjegjësi t’i përgjigjet edhe Kuvendit e në forume mund të tregojë punën”, ka thënë Ismaili.

Sipas Ismailit, edhe Kurti “bënte mashtrimin e njëjtë”.

“Shoh panik nga ta, fshehje, mos të harrojmë kjo s’është fontanë dëshirash. Edhe Kurti bënte kështu se ‘do të bëj ekip të tillë apo më ndryshe a diçka’, por kur i erdhi koha të shkojë në Shtëpinë e Bardhë, u përgjigj se nuk kam shkuar se kishte thika mbi harta, simbolikë e rëndë dhe e keqe nga një lider. Është mashtrim i njëjtë, nuk i përgjigjesh Kuvendit, Kurti thoshte është kokëçarje. Ndërsa e ke Hotin në tjetrën anë që merret me forume joinstitucionale, pra janë tentativa për t’u fshehur nga përgjegjësitë e tyre”, ka vazhduar ai.

Ismaili ka thënë se Kosova s’ka kohë për të humbur “për dyshimet që kanë kryeministrat duke filluar nga Ramush Haradinaj, Kurti e tash edhe Hoti”.

“Po të kishte PDK-ja pozicionin e kryeministrit do të bënim veprime konkrete”, ka shtuar Ismaili.

Ai ka thënë se as Kurti e as Hoti s’është dashur të pranonin pozitën e kryeministrit “nëse frikohen”.

“Vepro. S’është politika e personalizuar kush në çfarë pozite është. Marrëveshje me Serbinë kërkojmë qe disa vite. S’është diçka e re. Për të treguar a është e ngutshme e kanë përgjegjësinë institucionet. Nuk mund të luajmë me sovranitetin, as me kufijtë, por as s’ka fontanë dëshirash po takohem me një shoqatë, pastaj me OJQ-në, apo jo më mirë të mblidhen liderët partiakë. Është fshehje, mosguxim, për të vepruar në pozicionin që i takon. S’mund të jesh në krye të qeverisë e të mos jesh maja, tehu, i asaj që dëshiron të bësh”, ka thënë Ismaili.

23:53

Demarkacioni, taksa e reciprociteti për Ismailin janë kauza populiste

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, i ka quajtur kauza populiste temat që e kanë përcjell vendin në vitet e fundit.

Ai, i ftuar në Interaktiv të KTV-së, ka thënë se temat për demarkacionin, taksën dhe së fundi reciprocitetin janë populiste e të rrejshme të liderëve që synuan pushtetin.

Sipas tij, PDK-ja do t’i kalonte me lehtësi këto tema dhe “nuk do t’i humbiste gjashtë vjet për asgjë”.

“U fshehën prapa kauzave populiste, si demarkacioni, taksa e reciprociteti. Këto tregojnë se po bëhet një mashtrim i madh me popullin. Kush jep përgjegjësi për këtë stagnim, kjo është paaftësi e partive që nuk arrijnë që besimin e qytetarëve ta kthejnë në një të mirë për ta. Si do të vepronim ne? Ne do të shikonim interesat strategjike të Kosovës, e ato nuk janë që 6 vite të humbën për dy-tri procese që sot nuk janë. Kauza të rrejshme, por në fund kur vije puna te pushteti, i ndërrojnë. Dëshira jonë është mos me humb kohë, me forcu shtetin, e jo me i riparu marrëdhëniet me aleatët tonë”, ka thënë Ismaili.

23:49

Ismaili: Binomi Haradinaj – Kurti luajti me politikën e jashtme

Deputeti i PDK-së, Uran Ismaili, në Interaktiv të KTV-së ka thënë se Ramush Haradinaj e Albin Kurti ishin binomi që luajtën me politikën e jashtme dhe dëmtuan raportet me SHBA-në.

Qeverinë Hoti ai e ka quajtur vazhdimësi e mentalitetit mashtrues.

“Të hyjë në Qeveri të mos jem i sinqertë me qytetarët, kjo është një vazhdimësi e mashtrimit. Ne ju treguam qartë se kjo qeveri është vazhdimësi e një qeverie që s’do ta votojmë dhe nuk e kemi bërë. Është një qeveri e brishtë. Nuk presim ndonjë impuls pozitiv për qytetarët, ndoshta do të ketë impuls pozitiv për LDK-në por nuk përkthehen në program të mirë qeverisës, e nuk pamë as nga qeveria e kaluar. Programi i kësaj qeverie ende nuk është ardhur në Kuvend dhe ende nuk kemi plan konkret për pandeminë. Qeveria e kaluar i la shumë punëtorë pa pagesa”, ka thënë Ismaili.

Ai thotë se qytetari s’ka pasur dobi as nga Qeveria Kurti, e as nga LDK-ja sa ishte pjesë e asaj qeverie dhe tani si udhëheqëse e saj.

Ismaili gjithashtu ia ka kujtuar Hotit kur kishte thënë se ajo Qeveri që mbahet me pakicat nuk është qeveri.

“A ka pasur ndonjë dobi qytetari nga LDK-ja në qeverinë e kaluar apo tash, as tash dhe as atëherë s’kemi pasur dobi. Hoti e ka quajtur se Qeveria që mbahet me pakica nuk është qeveri, kjo i bie atë që e ka pështyrë ta lëpijë. Është ndërtuar në njëlloj deformimi”, ka thënë Ismaili.

Gjithashtu ai ka thënë e trashëgimia e Kurtit ishte prishja e marrëdhënieve me SHBA-në.

“Kemi ardhë në situatë ku po themi po i riparojmë raportet me SHBA-në, pra kjo është trashëgimia e Kurtit dhe pjesë e asaj qeverie ishte edhe LDK-ja. Fakti që ne me partnerët tanë të lirisë t’i riparojmë marrëdhëniet tregon gjendjen dhe pse ka nevojë për një ofertë tjetër”, ka thënë ai.

Sipas tij binomi Haradinaj – Kurti ka dëmtuar marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Këto qëndrime tona për të gjitha këto reciprocitetin dhe taksën kanë qenë të qarta. Përplasjet e mëdha mes PDK-së dhe Haradinajt ishin pikërisht për taksën. Ky ishte ky binom që luajti me politikën e jashtme, Kurti – Haradinaj, ku erdhëm në një situatë ku nëse na zhbllokojnë fondet jemi të lumtur”, ka thënë Ismaili.

23:40

Ismaili: Qeveria Kurti dhe ajo Hoti, qeveri të mashtrimit

Uran Ismaili, deputet i PDK-së, i ka quajtur qeveri të mashtrimit Qeverinë Kurti dhe Qeverinë Hoti.

Sipas tij, të dy këto qeveri të fundit “i kanë bërë dëme shumë Kosovës për kohë shumë të shkurtër”.

“Pamë që janë marrë me gjëra të parëndësishme për qytetarin, me tendencë për të dominuar njëri-tjetrin. Humbën shumicën. Tash kemi qeveri të re, vazhdimësi të atij qëndrimi pasi kishin deklaruar gjithnjë se në koalicion do të ishin vetëm me VV-në. E ndërruan. Për ne si PDK, kemi pa se jemi në situatë delikate, udhëkryq të madh, ku vullneti i qytetarëve bëhet vetëm lojë mashtrimi. Kemi konsideruar se është koha të paraqesim platformë për qytetarët e cila ruan tërësinë dhe sovranitetin e Kosovës dhe forcon raportet tona me SHBA-në dhe që merret edhe me brengat e qytetarëve”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së duke komentuar prezantimin e “platformës së rimëkëmbjes” të PDK-së.

Ai ka thënë se qytetarët më nuk presin “luftë për mashtrim”, por duan të dëgjojnë “diçka që ka të bëjë me jetët e tyre”.

Ismaili ka vlerësuar se së fundmi janë lëkundur themelet e shtetit të Kosovës.

“Janë bë eksperimente qeveritare, nën petkun e mashtrimit të madh se po bëjnë për qytetarët, por është në dëm të qytetarëve. Pati tendencë të madhe për konfrontim jashtëzakonisht të madh me SHBA-në për çka PDK-ja kishte mbajtur edhe seancë të jashtëzakonshme duke ngritur flamurin si sugjerim se po shkojmë në rrugë jo të dobishme për qytetarët. Ndoshta për një njeri po, por jo për qytetarët. Ruajtja e partneritetit strategjik është i shtetit të Kosovës jo partive. Konflikti s’u ndal, por vetëm u thellua. Pamë sinonime të ndryshme që i vinin administratës amerikane nga ish-kryeministri Kurti”, ka vazhduar Ismaili.

Sipas tij, PDK-ja ka reflektuar si opozitë pasi humbi në zgjedhjet e 6 tetorit, teksa e ka vlerësuar këtë parti si më të zëshmen në opozitë.

Ai ka thënë se lider i opozitës nuk mund të jetë kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, pasi “ai është më shumë rrezik për Kosovën sesa lider i opozitës”.

“Kemi reflektuar si parti opozitare, po bëjmë punën tonë si partia më e zëshme, mirë që në demokraci ka parti të zëshme. Ne mendojmë se lider i opozitës do të jetë ai që arrin të artikulojë më së miri nevojat e qytetarëve, brengat, dhe paraqet rreziqet. Kurti është rrezik për Kosovën më shumë se lider i opozitës”, ka shtuar Ismaili.