Arbëri

Bie ndjeshëm numri i studentëve në UP, ikja e të rinjve konsiderohet ndër shkaqet kryesore

Mbi 6 mijë studentë më pak i ka këtë vit Universiteti i Prishtinës krahasuar me vitin akademik 2017/2018. Derisa para dy vjetësh Universiteti më i madh publik në nivelin bachelor, master e doktoratë i ka pasur 42 mijë e 6 studentë, këtë vit i ka vetëm 35 mijë e 930, raporton KOHA.

Fakulteti Ekonomik tash e një kohë të gjatë ka qenë njësia akademike me më së shumti studentë. Sipas dekanit But Dedaj, para tre vjetësh i kanë pasur deri në 13 mijë studentë, derisa këtë vit janë vetëm 5 mijë e 500. Shkak kryesor i uljes së këtij numri, sipas tij, është ikja e studentëve jashtë vendit.