Arbëri

“Rruga njëkahëshe” krijon paqartësi për qytetarët që lëvizin nëpër oborret e institucioneve

Rrethojat u hoqën në fund të muajit prill për të mundësuar lirinë e lëvizjes së qytetarëve përmes oborrit të qeverisë. Nga këtu mund të kalosh nëpër oborrin e Kuvendit dhe të përfundosh në rrugën “UÇK”, pranë Komunës së Prishtinës e sheshit “Adem Jashari”.

Por, nëse mendon që të kthehesh nëpër rrugën e njëjtë, këtë nuk mund ta bësh.

Policët që qëndrojnë pranë rrethojave të Kuvendit të Kosovës nuk lejojnë një gjë të tillë. Në pjesën e prapme ky institucion ende nuk ka larguar rrethojat, raporton KOHA.

Të tjerë qytetarë thonë se heqja e këtyre rrethojave përreth objektit të qeverisë është veprim i duhur dhe se njëjtë duhet të veprojë edhe Kuvendi i Kosovës.

Shfrytëzimi i kësaj rruge thonë se u kursen kohë.

Por, duket se nuk është zyra e udhëhequr nga Vjosa Osmani ajo që vendos për largim apo mbajtjen e rrethojave. Në një përgjigje nga Zyra për media e kabinetit të kryeparlamentares Osmani thuhet se rrethojat nuk janë në territorin e tyre.

Së fundmi, edhe objekti që shfrytëzohet nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale ka kaluar te Komisioni Evropian.

“Rrethojat janë në territorin e Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe të Komisionit Evropian. Pyetjet duhet t'ua drejtoni këtyre dy institucioneve”, thuhet në përgjigjen e zyrës së Osmanit.

Për paqartësitë e krijuara rreth lëvizjes së pjesshme të qytetarëve përmes oborrit të këtyre dy institucioneve, KTV ka dërguar pyetje edhe te Komisioni Evropian, mirëpo nuk ka marrë përgjigje.