Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, është zotuar se do të hiqen të gjitha pengesat që lidhen me procesin e dialogut.
Hoti në një intervistë për Zërin e Amerikës, thekson se nëse dialogu nuk është i suksesshëm, do të ruhet e drejta si shtet, siç thotë ai, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi që të vendosen të gjitha masat reciproke karshi Serbisë.
“Ne jemi zotuar se do t’i heqim të gjitha pengesat që lidhen me procesin e dialogut. Në ditët e ardhshme do t’i marrim vendimet e nevojshme që këto pengesa të hiqen, t’i japim frymë dialogut, t’i japim mundësi dialogut sepse kështu i kemi dakordimet me partnerët tanë ndërkombëtar që t’i japim mundësi dialogut. Nëse eventualisht dialogu nuk është i suksesshëm, ne sigurisht e ruajmë të drejtën tonë si shtet, në bazë të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi që të vendosim të gjitha masat reciproke karshi Serbisë edhe vendeve tjera nëse një gjë e tillë shihet e nevojshme. Por, ajo që është e rëndësishme te këto masa, është që ato mund të kenë sukses vetëm nëse vendosen në dakordim me partnerët tanë ndërkombëtar. Kemi parë historikun ta zëmë të taksës 100 për qind, ose të masave tash të fundit për reciprocitet dhe nëse nuk kemi përkrahjen e miqve tanë për vendosjen e këtyre masave, ato nuk prodhojnë efektet e dëshiruara për shtetin e Kosovës”, tha Hoti.
Hoti, gjithashtu ka theksuar se pret që të dy vendet të heqin të gjitha pengesat për dialog.
“Nga ana e Serbisë para së gjithash është ndalimi i kampanjës në arenën ndërkombëtare për tërheqjen e njohjeve ndaj Kosovës. Kjo para së gjithash dhe disa veprime të tjera që duhet t’i bëjnë autoritetet e Serbisë”, tha Hoti.