00:14

Bajqinovci: LDK-ja, leckë e Hashim Thaçit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, në Interaktiv të KTV-së e ka quajtur Lidhjen Demokratike të Kosovës “leckë të Hashim Thaçit”.

“Ajo është vetëm një leckë e Hashim Thaçit. E përdor për një apo dy përdorime”, ka thënë ai, duke iu referuar LDK-së.

Sipas tij, presidenti Thaçi do ta përdorë “sërish” LDK-në.

“Tash e përdor për ta ndarë Kosovën dhe së dyti për t’u rizgjedhur president. Hesap nuk e bën. Çka të shtohet rreth këtij koalicioni”, ka vazhduar ai.

Ai po ashtu u ka sugjeruar mediave që Qeverinë Hoti ta quajë “Qeveria ilegale Thaçi”.

I pyetur rreth ngushtimit të hapësirës për bashkëpunim mes LVV-së dhe partive tjera, Bajqinovci ka thënë se në Kosovë do të jenë dy kampe: “Partitë e Hashimit dhe partia e Kurtit”.

Sipas tij, PDK-ja “mbase edhe e kalon pragun”.

“LVV-ja kur t’i marrë rreth 50 deputetë, qeverinë do ta bëjë me pakica”, ka thënë ai, teksa e ka shprehur bindjen se Kosova do të shkojë në zgjedhje në shtator.

00:07

Bajqinovci: VV-ja mund ta çojë në Kushtetuese rastin e presionit mbi deputetin Shala

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci ka paralajmëruar në Interaktiv të KTV-së se partia e tij mund ta dërgojë në Kushtetuese ndërhyrjen e presidentit Thaçi për ta bindur deputetin Haxhi Shala ta votojë qeverinë, ndonëse ka shprehur pesimizëm se Kushtetuesja mund të veprojë në këtë drejtim.

“LVV do ta dërgojë këtë ndërhyrje në Kushtetuese, po besoj. Por, nuk kemi fort shpresë në këtë gjykatë, duke e ditur se kush është aty”, ka thënë ai.

Ai është pyetur edhe rreth mungesës së ish-kryeministrit Kurti në ceremoninë e pranim-dorëzimit tek kryeministri Hoti. Ka thënë se nuk i dorëzohet detyra “një qeverie ilegale, dhe rreth së cilës një president shkon në 1 të natës dhe bën pazare”.

“Kulturë institucionale s’ka kur një president haptaz lufton një parti politike. Po të kishte Kushtetuese, Hashim Thaçi do të shkarkohej”, ka thënë ai.

Rreth negociatave dhe raporteve me SHBA-në, ai ka thënë se “gjatë 15 viteve të fundit, sa herë kanë pasur ndonjë skandal të madh, janë thirrur në Amerikën dhe BE-në. Cili nuk është amerikan këtu?”, ka pyetur ai.

23:55

Bajqinovci: Thaçi e bëri këtë qeveri për ta ndarë Kosovën e për t’u bërë përsëri president

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi e ka bërë këtë Qeveri për ta ndarë Kosovën dhe për të marrë edhe një mandat për president.

Ai është shprehur i bindur se Lidhja Demokratike të Kosovës do ta votojë atë edhe për një mandat të dytë.

“Thaçi e ka bërë qeverinë vetëm për dy gjera, për ta ndarë Kosovën dhe për t’u bërë president për të dytën herë. Ata do ta bëjnë përsëri Thaçin president. Unë besoj shumë që Hashim Thaçin do ta votojë LDK-ja për president përsëri nëse mbërrin, por VV-ja do ta pengojë. Javëve në vazhdim do të shohim se cilët do të jenë hapat e ardhshëm për ta ndalur procesin e ndarjes së Kosovës”, ka thënë ai.

Bajqinovci ka thënë se presidenti është duke iu frikësuar rritjes së kryetarit të VV-së, Albin Kurti.

Ai ka shtuar se kabineti qeveritar i tanishëm është me ministra të cilët janë të akuzuar e dyshohen për keqpërdorime.

“Një ministër e kësaj qeverie është duke u hetuar për mashtrim, ministrja e jashtme është e dënuar. Disa të dënuar, disa nën hetime e disa me plagjiatura”, ka thënë ai.

Sipas tij, kjo qeveri do t’i rikthejë të gjithë ata që u shkarkuan nga Qeveria Kurti.

Bajqinovci thotë se zgjedhjet e reja do të mbahen në shtator. Sipas tij, tashmë janë krijuar kushtet që të shpallen zgjedhjet në Podujevë, e pastaj edhe zgjedhjet nacionale.

Duke folur për opozitarizmin me PDK-në, ai ka thënë se kjo parti nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë.

“PDK-ja nuk ka interes për zgjedhje, ata po mundohen të bëjnë një opozitarizëm me disa fletushka e duke përdorur djalin që dyshohet se bëri vetëvrasje”, ka thënë ai.

23:38

Bajqinovci thotë se Hoti është vetëm asistent ekzekutiv i Thaçit

Duke e cilësuar qeveri ilegale, deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, ka thënë se Qeveria e re e Kosovës është “Qeveria Thaçi” e jo ajo Hoti. Sipas tij, Avdullah Hoti që u bë dje kryeministër, është vetëm asistent ekzekutiv i presidentit Thaçi.

Sipas Bajqinovcit, presidenti Thaçi ka bërë shumë shkelje kohëve të fundit. Ai ka akuzuar Thaçin për ndikim te deputeti Haxhi Shala për t’ia siguruar votat Hotit e se ka bërë agresion me vendimin që të shpallet kushtetues dekreti i tij për mandatim të Hotit.

“Duke pas parasysh që këtu u bë agresion nga vetë Hashim Thaçi dhe Gjykata Kushtetuese duke marrë vendime që fituesin ta lënë në opozitë, pra duke u thirrur në opinione të Moldavisë e shteteve të ndryshme që i pamë. Pamë edhe pse ishte e pritshme sepse doli presidenti Thaçi dy ditë më herët e tha se do ta rrëzojë Kurtin. Dy ditë më herët ai tregoi se vendimin e di dhe u mor ky vendim që ishte agresion kushtetues e që do të lërë pasoja të mëdha. S’do të jetë më interesant kush do të jetë i pari sepse i dyti e i treti do ta bëjë qeverinë. Më e keqja është që u publikua edhe falsifikimi që paragrafi katër i nenit 95 u largua nga faqja zyrtare. Kam tri argumente që Thaçi ka shkelur Kushtetutën. Njëra që e ka në dorë Kushtetuesen. E dyta është shkuarja në shtëpi të deputetit Haxhi Shala në orën një të natës. Një president që thotë jam unifikues shkon në orën 1 të natës dhe ndërhyn në ekzekutiv duke kërkuar vota për qeverinë Thaçi. Është qeveria Thaçi me asistentin ekzekutiv Hoti. Ia bëri Shala numrin 61. Në Kushtetuese, vendimin e mori Thaçi, numrat ia bëri Thaçi, pra kjo është Qeveri Thaçi. Jo Thaçi 3, por vetëm Thaçi. Kemi administrator, asistent të tij që s’e bëri kush hesap sot kur hyri në Kuvend. Pjesa e tretë, kemi qeveri ilegale të Thaçit që ka 140 mijë vota. Sot ka dalë edhe në portale që ka 140 mijë vota. Komplet kabineti i ka 140 mijë vota. Vetëm Albin Kurti ka 184 mijë vota. Me Vjosa Osmanin kanë më shumë se 300 mijë. S’kanë kredibilitet”, ka thënë ai në Interaktiv.