Arbëri

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Kjo është qeveria e Grenellit për një pazar të shpejtë

“Frankfurter Allgemeine Zeitung”: Kjo është qeveria e Grenellit për një pazar të shpejtë
Fotot: Driton Paçarada / KOHA

Gazeta konservatore gjermane shkruan në numrin e së enjtes se sipas një ankete qeveria Kurti në qeverisjen e saj të shkurtër kishte përkrahje rekorde nga qytetarët. Në rast të zgjedhjeve Vetëvendosje do të ishte dukshëm më e fuqishme në parlament se deri më tani. Qeveria e re me kryeministrin Avdullah Hoti pritet t’u shërbejë planeve të Grenellit, i cili dëshiron t’ia prezantojë sa më shpejt një marrëveshje “zotërisë në Washington”. Marrëveshjet e deritanishme që ka arritur Grenell për fluturimet dhe vijën hekurudhore mes Beogradit dhe Prishtinës kanë mbetur vetëm pikëpyetje.

Gazeta gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung“ (FAZ) ka botuar një shkrim lidhur me zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës. Ajo njofton se kjo qeveri i detyrohet ekzistencës së saj falë një njeriu, i cili fare nuk ishte në garë për zgjedhje: Richard Grenellit, i cili deri së fundi ishte ambasador i SHBA-ve në Gjermani dhe konsiderohet si njeri i besueshëm i Donald Trumpit. Vitin e kaluar Trump e emëroi Grenellin emisar të posaçëm për “negociatat paqësore” mes Serbisë dhe Kosovës. Detyrë e Grenellit me gjasë që në emër të shefit të tij të negociojë një “deal” të shpejtë mes Prishtinës dhe Beogradit, në mënyrë që Trump së paku në Ballkan, ku ndikimi amerikan është i madh sidomos në Kosovë, të korrë një sukses në politikën e jashtme.