22:09

Mushkolaj: Aktgjykimi i Kushtetueses i rrezikshëm për të ardhmen, rrit kompetencat e presidentit

Nëse ne i marrim parasysh të ashtuquajtura Konventa ose traditën tonë që e kemi ndërtuar prej vitit 2008. E dimë se nevojitet kohë dhe ne gjithmonë ia kemi lejuar një kohë madje edhe në vitin 2014 pa institucione, pa Kuvend, pa asnjë institucion, kohë për t’u themeluar institucionet.

Duke folur rreth “refuzimit” të Vetëvendosjes për të dërguar emrin e mandatarit ajo thotë se do të duhej të ishte një refuzim shprehimor.

“Unë besoj se këtu Gjykata Kushtetuese e ka tejkaluar, edhe pse është pak problematike të thuhet, gjatë interpretimit të Kushtetutës ka mundësi që të bëjë njëlloj ndryshimi kushtetues të heshtur. Dhe kjo në të vërtetë është mbindërtim i Kushtetutës, diçka që Kushtetuta qëllimisht nuk e ka. Gjykata Kushtetuese e vë si kërkesë, kjo është për mua vërtet, sidomos duke e pasur parasysh të kaluarën tonë të afërt kur Kadri Veseli ka refuzuar shprehimisht që ta marrë mandatin, atëherë duhet të merret parasysh histori jonë, që shprehimisht në gjuhën tonë të interpretimit të Kushtetutës refuzimi duhet të jetë shprehimor”, ka thënë ajo.

E sipas saj kjo është e rrezikshme.

“E kjo më shumë se sot që është e rrezikshme, do të jetë e rrezikshme në të ardhmen. Këtu do të rritet fuqia e presidentit dhe kompetencat e presidentit vizavi Kuvendit për formimin e Qeverisë. Kompetencat e Presidentit megjithëse ne i kemi shumë më të mëdha se vendet e tjera parlamentare që shkojnë gati në hibriditet. Ato janë precizuar duke mos lejuar një peshë kaq të madhe të presidentit në ndërtimin e Qeverisë”, është shprehur ai.

Tutje ajo ka shtuar se viti 2014 flet për një shumicë, jo të Kuvendit, por shumicë që e përcakton KQZ-ja ose rezultati i zgjedhjeve.

“Tash shumica që përcaktohet me këtë aktgjykimin e dytë është shumica në Kuvend. Ajo çfarë është e rëndësishme është se kompetenca e presidentit është e kufizuar me shumicën në Kuvend dhe si e ka përcaktuar shumicën në Kuvend presidenti, kur partia e tretë e ka theksuar që nuk do ta votojë. Kjo për mua është, dhe aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese i jep dhe forcon rolin e presidentit krahasuar me rolin e presidentit që e thotë Kushtetuta”, ka thënë Mushkolaj.

Sipas saj edhe mënyra e konsultimit me parti nuk ishte e mirë pasi nuk e respektonte mandatin e lirë të deputetit.

“Mënyra se si është bërë konsultimi me partitë politike ka qenë, jo vetëm pse Vetëvendosje aty nuk ka marrë pjesë, por mënyra e konsultimit me ata dhe përcaktimi i shumicës nga ana e presidentit bëhet duke mos e respektuar mandatin e lirë të deputetit. Ku e ka ditë presidenti cili është vullneti i deputetëve individualisht për ta votuar një qeveri. Deputeti duhet me qenë vet i lirë pa marrë parasysh përkatësinë e Grupit Parlamentar. E kemi edhe një problem tjetër shumë serioz, që i bënë këta baballarët e partive politike shumë të fuqishëm. Kosova qysh prej vitit 2008 asnjëherë nuk ka nxjerrë ligj për veprim të partive politike. Ku së paku në mënyrë minimale do të garantohej organizimi i brendshëm demokratik i partive politike dhe kjo është fatale. Sidomos për ta vënë në jetë dispozitën kushtetuese që e garanton mandatin e lirë të deputetit”, ka thënë ajo.

Sipas saj nuk është e rastësishme që Kushtetuta jonë e garanton mandatin e lirë të deputetit, jo prej momentit të konstituimit të Kuvendit, por prej momentit të shpalljes së rezultatit zgjedhor.

“Gjykata Kushtetuese e jona na ka ngritë në nivel të rrezikshëm me këtë aktgjykim dhe ndoshta do ta shtyjë Kuvendin e Kosovës që të merret së shpejti me ndryshime Kushtetuese të cilat edhe në atë rast duhet të ketë stabilitet. Shqetësimi më i madhi është se Gjykata Kushtetuese kur e ka marrë këtë vendim është dashur ta rrëzojë precedentin e vitit 2014 përndryshe ne jetojmë pa asnjëlloj parashikueshmërie të normës juridike, ne nuk e dimë pas zgjedhjeve të ardhshme kur jemi duke vepruar drejt e kur jo. Kjo sjellë një arbitraritet”, ka thënë Mushkolaj.

22:07

Mushkolaj: Aktgjykimi për dekretin e Thaçit e rrëzon atë të 2014-s

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese ka thënë në DESKU të KTV-së se nëse analizohet dekreti i presidentit, që mandatin ia jep Hotit për formimin e Qeverisë dhe aktgjykimin e 2014-s, atëherë dekreti i presidentit ishte në kundërshtim me interpretimin përfundimtar të dhënë në vitin 2014 nga ana e Kushtetueses.

“Ky aktgjykim i Kushtetueses e rrëzon atë të 2014-s”, ka thënë ajo.

Ajo po ashtu ka shtuar se më shqetësuesja rreth aktgjykimit për dekretin e Thaçit është së pari fakti se dokumentacioni përgatitor për përgatitjen e Kushtetueses është marrë në konsideratë.

“E gjëja më shqetësuese është fakti se është theksuar autenticiteti i atij dokumentacioni. E kush e ka vërtetuar?”, është pyetur ajo.

Ajo ka thënë se vendimi, “nëse merret aktgjykimi dhe lexohet jashtë hapësirës dhe kohës, pra si fragment, është ndoshta në rregull. Por, njëjtë si një fjali që nxjerret nga konteksti, ashtu edhe një aktgjykim i lexuar nga një ekspert, nuk ka mundësi të konsiderohet analizë serioze dhe as shkencore”.

Mushkolaj ka thënë se më 2014-n, pas aktgjykimit aq të rëndësishëm, “e bëmë një lloj revolucioni kushtetues tek ne dhe aty u theksua për herë të dytë se nuk gjinden askund dokumentet për hartimin e Kushtetutës. Vetëm pas një periudhe të shkurtër, na doli një informatë nga Avokati i Popullit se dokumentet nbdodhen në Arkiv”, ka thënë ajo, duke e theksuar rëndësinë e ndërmarrjes së hetimeve dhe inspektimit të autenticitetit të këtyre dokumenteve.

22:00

Mushkolaj: Caktimi i afatit partisë fituese për emrin e mandatarit, më shumë dëm sesa dobi

Gjyljeta Mushkolaj, ish-gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës ka thënë në DESKU të KTV-së se Kushtetuesja ka mundur të përcaktojë afat kohor që partia fituese t’ia dërgojë presidentit emrin për mandatarin e Qeverisë.

Asaj i është kërkuar që ta sqarojë çështjen e afatit. Është pyetur nëse ka afat që partia fituese t’ia dërgojë presidentit emrin për mandatarin e Qeverisë.

Në rastin e dekretit të Thaçit, LVV-ja nuk kishte refuzuar, por nuk e kishte dërguar emrin për 20 ditë.

Në aktgjykimin e Kushtetueses rreth dekretit të Thaçit, në pikën 569 mes tjerash theksohet se:

“Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky ‘konsultim’ formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi”.

E pyetur rreth faktit se me “sa më shpejt”, afati mbetet në diskrecion të presidentit, ajo ka thënë se “Kushtetutdhënësi ka pasur mundësi të përcaktojë afate, por do të kishte shkaktuar më shumë dëm, sesa dobi nëse do të përcaktoheshin afate në këtë rast”.

Sipas Mushkolajt, Kushtetuesja, me rastin e interpretimit të Kushtetutës, “ka mundësi ta mbindërtojë Kushtetutën dhe në mënyrë indirekte, të padukshme, ta bëjë ndryshimin e Kushtetutës”.

Në këtë rast, kur ta bëjë këtë, ajo ka thënë se duhet marrë parasysh që “Kushtetuta përmban dispozita abstrakte”.

“Është shumë e përgjithësuar”, ka thënë ajo.

21:22

Mushkolaj: Ia lidhëm duart vetvetes, serbët tash vetëm e bëjnë Asociacionin

Gjylieta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Kushtetueses, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se në Qeverinë Hoti tani serbët vetëm mund ta bëjnë Asociacionin me Komuna Serbe.

Ajo ka folur për marrëveshjen me Serbinë rreth Asociacionit të Komunave Serbe me kryeministër Isa Mustafën, e cila marrëveshje ishte rrëzuar nga Gjykata Kushtetuese.

Mushkolaj ka treguar Kuvendi nuk kishte votuar vetëm aktin e marrëveshjes, porse edhe planin e veprimit.

“Besoj që ne kemi qenë pak të padrejtë në periudhën ndaj ish-kryeministrit Isa Mustafa, kur është lidhur marrëveshja për asociacionin ka qenë veçse e shtruar rruga gati e sigurt se çfarë do të rezultojë në marrëveshjen që do të pasojë. Ajo që ne mund ta vërejmë tash është se marrëveshja e 2013 kur është votuar nga ana e Kuvendit nuk është votuar vetëm akti i marrëveshjes me rastin e ratifikimit me ligj të asaj marrëveshje. Është ratifikuar edhe plani i veprimit, i cili i përfshinte edhe detajet për themelimin e Asociacionit të Komunave”, ka thënë Mushkolaj. “Firma është vendosur, mirëpo i Kosovës – nuk është e vërtetë që vetëm atë marrëveshje të parimeve e ka nënshkruar. E ka nënshkruar në dy raste të ndara edhe planin e veprimit. Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar vetëm marrëveshjen për parime, e ka miratuar në të njëjtin ligj për ratifikim, respektivisht e ka ratifikuar edhe planin e veprimit”.

Tutje ajo ka thënë se gazeta zyrtare e Kuvendit është mashtruese.

“Është interesante që në gazetën zyrtare të Kosovës nuk përfshihet ligji i plotë i ratifikuar nga ana e Kuvendit të Kosovës. Ka pasur shumë debate, deklarata kundër përfshirjes së planit të veprimit në atë ligj të ratifikuar. Por, fatkeqësisht ai është votuar me më shumë se 2/3 e votave dhe nëse e shikoni sot gazetën zyrtare ajo është mashtruese, sepse nuk e përfshinë planin e veprimit. E gazeta zyrtare në këtë rast është mashtruese”, ka thënë ajo.

Mushkolaj ka shtuar se Kuvendi i Kosovës gjithmonë i përmban ligjet e miratuara dhe nëse ka – ligjin që e miraton vet dhe në një vend tjetër ligjin ashtu siç shpallet nga ana e presidentit dhe publikohet në gazetën zyrtare.

“Tash ishin zhdukur ligjet nga ana e portalit të Kuvendit të Kosovës, ligjet e më hershme sepse ka ndodhë shumë shpesh që ligji i miratuar nga ana e Kuvendit të mos shpallet me dekret nga ana e presidentit. Presidenti ka të drejtë të vetos dhe rishqyrtohet përsëri në Kuvend por ajo që është e rëndësishme për ne dhe për gjeneratat e ardhshme, duhet ta dinë rrugën. Ne tash nëse e shikojmë gazetën zyrtare nuk kemi ligj të ratifikuar planin e veprimit, e ne e dimë, sepse nuk ka qenë shumë moti, që ai plan i veprimit është ratifikuar nga ana e Kuvendit”, ka thënë Mushkolaj.

Megjithatë, ajo sheh një gjë pozitive nga marrëveshja e vitit 2013 për Asociacionin.

“Konsideroj gjë të mirë në atë marrëveshje faktin sepse për herë të parë në një marrëveshje me Serbinë theksohet pushteti, autoriteti i Gjykatës tonë Kushtetuese dhe kjo ka qenë e rëndësishme sepse në vet marrëveshjen është paraparë që statuti i ardhshëm i Asociacionit të Komunave Serbe, kushtetutshmëria e tij, të shqyrtohet nga ana e Gjykatës Kushtetuese, kështu që ekziston një element serioz”, ka thënë Mushkolaj.

E shkeljet kushtetuese në këtë marrëveshje u përdorën për rrëzimin e Qeverisë Mustafa.

“Kuptohet në marrëveshje Gjykata Kushtetuese ka gjetur shkelje kushtetuese, si duket në atë kohë veçse disa parti të tjera e kishin planifikuar që ta rrëzojnë Qeverinë e Isa Mustafës dhe kjo shkelje është përdorë për rrëzimin e qeverisë”, ka thënë ajo.

Sipas Mushkolajt edhe Qeveritë e më vonshme kanë bërë shkelje drastike rreth Asociacionit.

Gjykata Kushtetuese e thekson se duhet domosdo që Qeveria ta bëjë statutin, të punohet statuti nga një grup i caktuar dhe Qeveria si e tillë, përmes një akti nënligjor ta aprovojë atë statut. Këtë detyrë nuk ka mundur ta bëjë Qeveria Mustafa sepse s’ka pas afat, por Qeveria e ardhshme ka harruar komplet me qëllim ose pa qëllim, që e ka shkelë në mënyrë edhe më drastike atë aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për Asociacionin sepse ka refuzuar të kryejë një punë të përcaktuar nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Rreth Asociacionit është filluar shkelja më 2013 dhe ka vazhduar me Qeverisë pasuese të shkelet në mënyrë edhe më drastike”, ka thënë ajo.

Ajo sheh një rrezik në Qeverinë Hoti, duke thënë se tani serbët mund ta bëjnë vetëm Asociacionin.

“Konsideroj se ky është një problem tejet serioz për arsye se vet ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal është serb dhe njëri zëvendëskryeministër është serb. Qeveria jonë hynë, po mendoj tash s’ka nevojë më të bëhen negociata për atë Asociacion, por në kuptim institucional serbët tash vetëm e bëjnë Asociacionin. Qeveria si e tillë, ne nuk e dimë a ka pas marrëveshje, a ka marrëveshje apo jo me Listën Serbe, por ne jemi të varur plotësisht se Gjykata Kushtetuese si do ta interpretojë statutin e ardhshëm të Asociacionit. Fare pa negociata me Serbinë, nga vet ne varet dhe ne ia kemi lidhë duart vetvetes se a do t’i ngjajë ndonjë niveli të tretë apo jo ai statut. Dhe tash për shkak të konstelacionit të Qeverisë që e kemi sot, nëse do të ketë jetë”, ka thënë Mushkolaj.

20:51

“Nëse s’zbatohet aktgjykimi rreth Manastirit të Deçanit, ai rrezikon të bëhet pjesë e negociatave”

Gjyljeta Mushkolaj ish-gjyqtare e Gjykatës Kushtetuese e ka cilësuar të rrezikshëm moszbatimin e aktgjykimit të Kushtetueses për pronat e Manastirit të Deçanit. Në DESKU të KTV-së, ajo ka thënë se më e rëndësishme sesa marrëveshja e LDK-së me Listën Serbe, është marrëveshja e LDK-së me AAK-në sa i përket zbatimit të aktgjykimit.

Ajo me këtë rast ka treguar se Komuna e Deçanit ishte vonuar në dërgimin e komenteve para se Kushtetuesja të merrte vendim rreth kërkesës së manastirit të Deçanit.

“Manastiri i është drejtuar Kushtetueses në mënyrë individuale. Gjykata Kushtetuese ka pritur që Komuna e Deçanit ta sfidojë kërkesën e manastirit me komentet e veta dhe disa herë i ka shtyrë afatet për t’i marrë komentet. Komentet janë dorëzuar në momentin që gjyqtarët kanë hyrë në këshillim dhe votim. Nuk po them që manastiri kanë të drejtë dhe që janë marrë ata hectare. Por në kuptim procedural, jemi sjellur në mënyrë joserioze, qysh jemi sjellur edhe sot”, ka thënë Mushkolaj.

Ajo ka thënë se shoqëria në tërësi, por edhe mediet, është dashur të kërkojnë më shumë informata nga ana e LDK-së, “meqë e ka kryeministrin sot, se çfarë negociata ka pasur me partitë më të vogla, më të cilat e ka formuar qeverinë”.

Mushkolaj ka thënë se rëndësia e zbatimit të aktgjykimit qëndron edhe tek fakti që ambasadori amerikan ka bërë thirrje për respektimin e të gjitha aktgjykimeve të Kushtetueses.

“Nëse ju kujtohet, kur u shqiptua vendimi i Kushtetueses dhe nëse e analizojmë deklaratën e ambasadorit amerikan në Kosovë, ai foli në shumës, për nevojën e zbatimit të aktgjykimeve të Kushtetueses”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se fjala ka qenë edhe për një aktgjykim, “që ne si shtet serioz dhe që themi që e zbatojmë Kushtetutshmërinë, që disa vjet me radhë, refuzojmë, respektivisht AAK-ja ta zbatojë një vendim rreth një prone të manastirit të Deçanit”.

Sipas saj, rëndësia e respektimit të këtij aktgjykimi, qëndron edhe tek fakti se tani para Serbisë dhe ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, “Kosova, kur është fjala për Kishën Ortodokse Serbe, nuk do t’i respektojmë dhe Kisha duhet të ketë siguri shtesë. Kështu ne po shkojmë të çarmatosur në negociata, nëse LDK-ja nuk ka ndonjë rezultat special rreth zbatimit të këitj aktgjykimi, para se të ballafaqohet me negociata”.

Mushkolaj ka thënë se shkuarja në negociata me Serbinë, pa zbatimin e këtij aktgjykimi, nënkupton se sovraniteti i shtetit tonë mbi pronat e Kishës është i rrezikshëm dhe ka nevojë për ekstra-territorialitet mbi ato prona.

“Kjo është droja ime më e madhe për hyrjen ne negociata në këtë situatë”.

20:47

Mushkolaj për Shalën: Ndërrimi i mendjes s’mund të konsiderohet shkelje

Gjylieta Mushkolaj, ish-gjykatëse e Kushtetueses, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se presioni ndaj deputetit Haxhi Shala më shumë është shkelje e legjitimitetit të votës së tij sesa e ligjshmërisë. Sipas saj, ndërrimi i mendjes së Shalës për votën për Qeverinë Hoti nuk mund të konsiderohet shkelje.

Shala sot në Kuvend kishte deklaruar se mbrëmë presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryeministri, Ramush Haradinaj, e kanë vizituar në shtëpinë e tij me ç’rast edhe ia kanë ndërruar mendimin që ai të votojë për Qeverinë Hoti.

Ditë më parë Shala kishte deklaruar publikisht se do të votojë kundër Qeverisë Hoti.

“Kjo shkelje e dinjitetit të deputetit, se është pak e vështirë të thuhet se është shkelje e mandatit të tij, sepse ai pas bindjeve edhe pse këtu roli i presidentit është tejet i dyshimtë, pas bindjeve, ka vendosur të ndërrojë mendje. Ndërrimi i mendjes s’mund të konsiderohet shkelje. Duhet më shumë informata e shqyrtime të duhura se është shkelës i Kushtetutës dhe mandatit të pavarur të deputetit, presidenti i Kosovës. Kjo është çështje që ka të bëjë më shumë ndoshta me legjitimitetin e votës së tij sesa me kushtetutshmërinë apo ligjshmërinë e votës së tij”, ka thënë Mushkolaj.

Tutje ajo ka pasur kritika edhe për sjelljen e presidentit Thaçi, duke thënë se ai ka shkuar përtej pozicionit të tij.

“Presidenti nuk është hera e parë që në mënyrë publike e deklaron vetveten se nuk e shpreh unitetin e popullit sidomos nëse e analizojmë diskursin e tij, sidomos fjalët ofenduese, madje që shkojnë deri në shpifje, duke e shpallur qeverinë si grup kriminal”, ka thënë ajo.

Sipas saj me sjelljet e tij presidenti ka shkelur mbi dinjitetin e njeriut.

“Kjo nuk e shpreh vetëm një pikëpamje të tij për njerëzit e caktuar, por shkon përtej, dhe e tregon shkeljen e pozicionit të tij si përfaqësues i unitetit të popullit sepse ata njerëz një numër tejet serioz i qytetarëve i ka votuar. Kjo përsëri shkon përtej shkeljes së pozicionit të presidentit si përfaqësues i unitetit të popullit dhe shkel vlerën më sublime që e garanton Kushtetuta jonë, që është dinjiteti i njeriut”, ka thënë Mushkolaj.