Arbëri

Shala thotë se u bind nga presidenti e ish-kryeministri, reagon KDI-ja

KDI-ja ka shprehur shqetësim lidhur me deklaratën publike të deputetit Haxhi Shala në seancën e sotme për ndryshimin e qëndrimit të tij për votimin e Qeverisë Hoti.

Deputeti Shala deklaroi që “pas vizitës së mbrëmshme në familjen time të Presidentit dhe ish-kryeministrit Haradinaj kam ndërruar mendje dhe vota ime do të jetë pro për këta dy persona dhe pro Qeverisë Hoti”.

“Rikujtojmë që Kushtetuta e Kosovës (neni 70, pika 1) lidhur me mandatin e deputetëve thotë që "deputetët e Kuvendit janë përfaqësues të popullit dhe nuk i nënshtrohen asnjë mandati detyrues"”, thuhet në reagimin e KDI-së.

Haxhi Shala nga Nisma i cili ishte deklaruar kundër votës së tij për Qeverinë Hoti, sot votoi për.

Shala tha se mbrëmë është vizituar nga Ramush Haradinaj dhe presidenti, por nuk tregoi se për kë bëhet fjalë, presidentin e vendit Hashim Thaçi apo presidentin e partisë, Fatmir Limaj, të cilët "ia kanë ndërruar mendjen”. Pak më vonë, Haradinaj konfirmoi se ka shkuar me Thaçin te Shala. 

Kreu i AAK-së, Haradinaj, thotë se vizita e tij te deputeti Haxhi Shala përkoi edhe me atë të presidentit Thaçi. Nuk ishte e aranzhuar të ishte e tillë që të dy të ishin mysafirë të Shalës një natë para votimit të Qeverisë Hoti.

“Presidenti ka raporte të kahershme e miqësore me Haxhi Shalën. Edhe unë i kam nga ana ime. Koincidenca janë këto. Shala ka qenë zëvendëskomandant në Prizren, kur unë kam qenë komandant i TMK-së. Unë i thash që e qes votën për këtë qeveri, nëse beson në këtë qeveri, a e qet edhe ti? Ai tha që po”, tha ai.

E Shala gjatë seancës tregoi se si u bind të votonte Qeverinë ku do të jetë edhe partia e tij, Nisma.

“Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve deri sot te votimi i qeverisë së re. Para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votoj qeverinë Hoti për shkak të politizimit të partisë nga dy persona. Por mbrëmë, nga vizita që kam pasur nga presidenti dhe ish-kryeministri Haradinaj, unë do të votoj pro Qeverisë Hoti”, u shpreh Shala.

Vota e Shalës në fund doli vendimtare, pasi Qeveria Hoti mori 61 vota.