Arbëri

Rreth 3.000 qytetarë janë riatdhesuar gjatë pandemisë, 700 tjerë javën e ardhshme

Rreth 3.000 qytetarë të Kosovës janë riatdhesuar gjatë pandemisë, gjë kjo e mundësuar nga Ministria në detyrë e Punëve të Jashtme, ka bërë të ditur shefi i kabinetit të kësaj ministrie, Kreshnik Ahmeti.

Ai, përmes një statusi po ashtu ka bërë të ditur se Ministria e Jashtme, brenda javës së ardhshme do t’i kthejë edhe mbi 700 qytetarë tjerë, teksa janë lehtësuar masat.

“Personat e riatdhesuar nuk do të futen më në karantinë, por pas kontrolleve mjekësore në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës, do të shkojnë në vetizolim në shtëpitë e tyre”, ka theksuar Ahmeti.

Ai po ashtu ka bërë të ditur se deri në fund të javës së ardhshme, do të mbesin edhe rreth 400 kërkesa tjera emergjente për kthim, të cilat do të mund të realizohen deri kah mesi i qershorit.

“Si rezultat i angazhimit maksimal të Qendrës Operative të MPJD-së, misioneve tona diplomatike dhe institucioneve të tjera përkatesë të Qeverisë, ky proces i vështirë për të gjithë do të përmbyllet së shpejti”, ka bërë të ditur Ahmeti.