Arbëri

Veseli e quan të drejtë vendimin e Kushtetueses, thotë se VV-ja tani është brenda skenarit të saj

Vendim të pritur e ka quajtur kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, shpalljen kushtetues të dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatamin e Avdullah Hotit për kryeministër.

Ai ka thënë se refuzimi i VV-së për të dërguar emrin e mandatarit te presidenti, “ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”.

“Një vendim i pritur nga Gjykata Kushtetuese, i cili në bazë ka vitin 2014 kur VLAN tentoi ta deformonte vullnetin qytetar. Refuzimi i LVV-së për ta dërguar te Presidenti i vendit, për herë të dytë, emrin e mandatarit për Kryeministër, ka imponuar këtë vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese”, ka shkruar ai në Facebook.

Tutje, Veseli ka thënë se tash Lëvizja Vetëvendosje është brenda skenarit të saj, ndërsa ka shtuar se demokracia në vend është në momente vendimtare.

“LVV tashmë është brenda skenarit të saj të paramenduar. Dëshiroi ta evitonte mundësinë për të qeverisur, me shpresë se do të përfitonte më shumë duke manipuluar me emocionin qytetar. Tani, demokracia e Kosovës është në momente vendimtare, ashtu siç është edhe e ardhmja e shtetit”, ka shtuar ai.