23:48

Hoti: Koha të bashkohemi për vendin, s’ka humbur askush

I mandatuari për kryeministër të Kosovës, Avdullah Hoti, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese që i dha dritën e gjelbër formimit të qeverisë së udhëhequr nga ai. Në një reagim në Facebook, Hoti ka thënë se është koha e bashkimit e se askush s’ka humbur me këtë vendim.

“Si mandatar për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, mirëpres vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Është koha të bashkohemi për të ardhmen e vendit dhe qytetarëve tanë. Askush nuk ka humbur. Rimëkëmbja e mirëbesimit në mes nesh dhe respektimi i rendit institucional është detyrë dhe obligim yni i përbashkët”, ka shkruar ai.

Hoti ka shtuar se “Bashkë me miqtë tanë strategjikë, SHBA-të dhe BE-në, do të punojmë me përkushtim për jetësimin e aspiratave tona për integrime euroatlantike”.

23:33

Mustafa: Aktgjykimi, dëshmi se drejtësia në Kosovë funksionon

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka dëshmuar se në Kosovë funksionon drejtësia.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka thënë se i takon qeverisë së ardhshme të drejtuar nga LDK-ja të mbajë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në vend.

“Aktgjykimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese dëshmon se
shteti i Kosovës dhe drejtësia po funksionon. LDK gjithherë ka respektuar vendimet e kësaj Gjykate dhe kemi kontribuar që ky institucion të jetë i pavarur dhe ta gëzojë besimin e plotë.
Janë këto personalitete që mbajnë peshën e drejtësisë dhe demokracisë në shtetin tonë të ri. Vendimi i Gjykatës nuk i destinohet një partie dhe një grupi, por një zgjidhjeje kushtetuese e cila do të vlejë për të gjithë ne, tani dhe në të ardhmen. I takon Qeverisë së ardhshme, të drejtuar nga LDK-ja që të mbajë peshën e demokracisë dhe të kësaj drejtësie të ndarë nga Gjykata Kushtetuese. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë . Të gjithë duhet ta respektojmë dhe ta zbatojmë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

23:09

LDK pas vendimit të Kushtetueses: Tashmë dihet se si duhet vepruar edhe në të ardhmen

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka komentuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që e shpalli kushtetues dekretin e presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit të LDK-së për kryeministër.

Në një postim në Facebook, Gashi ka thënë se tashmë dihet se si duhet të veprohet dhe se kjo vlen edhe për të ardhmen.

“Gjykata Kushtetuese vendosi, tashmë të gjitha palët e dinë si duhet të veprohet, jo vetëm tani, por edhe në të ardhmen!” ka shkruar Gashi në Facebook.