Arbëri

Besimtarët nisin të falen në xhami, respektojnë masat

Me rifillimin e punës së objekteve fetare në Kosovë, zëvendëskryeimami i Prishtinës, Idriz Xhigoli, ka folur për emisionin e mëngjesit “Sot” në KTV, ku tha se në xhami ishte prezente vetëm mosha e re e besimtarëve dhe të gjitha procedurat kanë shkuar sipas rekomandimeve të IKSHP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë.

“Sot kemi filluar me namazin e sabahut, gjithçka ka shkuar në rregull sipas masave të përcaktuara nga Ministrisë së Shëndetësisë. Ata që sot erdhën për të falur namazin ishin më shumë të moshës rinore, nuk pati të moshës vjetër mbi 65 vjeç dhe nuk ka pasur fëmijë, kemi marrë masat e parapara dhe gjithçka ishte në rregull”, ka thënë ai në një intervistë.

Xhigoli po ashtu tha se ceremonia e varrimit do të vazhdojë të jetë e njëjtë, duke mos u lejuar të marrin pjesë pjesëtarë të tjerë përpos familjarëve të ngushtë, deri në një vendim tjetër nga institucionet përkatëse.

“Për varrimin, e njëjta procedurë do të vazhdojë derisa të merret një vendim tjetër nga Ministria e Shëndetësisë dhe deri më tani nuk do lejohen të afërmit tjerë për varrim”, tha Xhigoli.

Ai shtoi se të premten do të jetë më e vështirë që të menaxhohet kjo situatë për shkak të numrit më të madh të besimtarëve që falen në xhami, por kjo mbetet të shihet gjatë ditës së nesërme nëse mund të vazhdohet kështu, në rast tjetër do të shfrytëzohet edhe oborri i xhamisë për ritualet fetare.

“Ne kemi paraparë që distanca sociale të jetë 1 metër e gjysmë dhe njëherë në fillim nuk patëm vështirësi, për xhuma do të shohim nesër sepse në atë kohë ka më shumë besimtarë që vijnë në rast se nuk kemi hapësirë brenda, atëherë do të shikojmë mundësinë për faljen e namazit në oborrin e xhamisë”, shtoi ai.