Arbëri

Tre fëmijë kosovarë mbeten në Austri pa prindër

Tre fëmijë që kishin shkuar për t’u shëruar në Austri kanë mbetur atje shkaku i pandemisë Covid-19.

Ata kishin shkuar për t’u shëruar përmes organizatës Aleanca për Fëmijët, e cila që nga viti 1992 merret me shërimin e fëmijëve nga Kosova e Shqipëria, të cilët kanë kushte të vështira ekonomike e nuk kanë shërim në vendlindje.

Fatime Blakaj është pjesë e kësaj organizate që nga viti 1992 dhe ka ndërmjetësuar për t’i dërguar për mjekim në Austri mbi 2800 fëmijë shqiptarë.

Blakaj në “Express Intervistë” ka treguar se si kishte nisur Aleanca për Fëmijët.

“Kemi filluar që nga viti 1992, e gjitha ka filluar nga një çift që ka pasur dasmë dhe kanë kërkuar që të mos u dërgohen dhurata por para dhe me ato para të bëjnë diçka. Dhe kanë shkuar në Shqipëri pas rënies së diktaturës dhe kanë filluar me fëmijët e sëmurë të cilët nuk kanë gjetur shërim atje i kemi sjellë në Austri ku janë shëruar dhe janë kthyer në shtëpi”, ka thënë Blakaj.

Ajo ka bërë të ditur se s’kanë kurrfarë ndihme nga Shqipëria apo Kosova, porse kanë ndihma të mëdha nga organizata e biznese të ndryshme në Austri.

“Në Shqipëri e Kosovë kemi koordinatorët. Për Shqipëri është Pëllumb Rusha, kurse në Kosovë janë Luan Rama e Rrahim Jupolli, të cilët në mënyrë vullnetare pandërprerë na kanë ndihmuar në organizimin e vizitave. Mjekët austriakë shkojnë bëjnë vizita dy herë në vjet. Në 20 vitet e fundit mjekët austriakë i kontrollojnë vet fëmijët dhe vendosin se cilëve t’iu ndihmojnë. Ne kemi qenë urëlidhëse për prindërit e fëmijëve. Gjuha është shumë e rëndësishme. Që nga fillimi në 92-tën kemi dëgjuar që ka fëmijë nga Shqipëria dhe qysh nga atëherë pothuajse gjysma e jetës më ka shkuar nëpër spitale me fëmijët nga Kosova e Shqipëria”, ka thënë Blakaj.

Ajo ka konfirmuar se në Austri fëmijët shkojnë vetëm, pa prindër, dhe ka familje të ndryshme që përkujdesën për fëmijët derisa ta kryejnë tretmanin.

Kryesisht fëmijët që trajtohen në Austri kanë probleme me zemër.

“Më së shumti kemi pasur fëmijë të sëmurë me zemër, ka edhe sëmundje të zemrës që nuk operohen dot, dhe ato raste janë refuzuar. Gjysma e fëmijëve që kanë qenë kanë pasur probleme me zemër dhe sot gëzojnë një jetë të shëndetshme”, ka thënë ajo.

Blakaj ka deklaruar se nuk kanë asnjë bashkëpunim me institucionet e vendit, megjithëse një bashkëpunim ishte tentuar të bëhej në vitin 2004.

“Kemi provuar në vitin 2004, ministër në atë kohë ishte Pleureat Sejdiu. Kemi pasur një memorandum bashkëpunimi. Pastaj kemi filluar të jemi skeptikë, dhe ra ajo. Asnjë rast nuk e kemi marrë nga ato lista. Në rastet sociale i marim gjithmonë të parët”, ka thënë ajo.

Tutje ajo ka treguar se ka raste kur operacionet mund të kryhen edhe në Kosovë.

“Por, kur kanë kërkuar ndihmë tek ne dhe pasi kemi mbështetjen austriake i kemi marrë dhe i kemi sjellë këtu. Asnjë euro nuk iu kushton, ndoshta vetëm derisa tua bëjnë pasaportën. Ka pasur raste kur kemi pasur edhe mbi 100 fëmijë brenda vitit, por edhe 60-70 brenda vitit”, ka thënë Blakaj.

E pandemia ka prekur edhe këtë organizatë, dhe tre fëmijë që ishin dërguar për shërim në Austri kanë mbetur atje shkaku i Covid-19, megjithatë gjendja e tyre është shumë e mirë.

“Për shkak të pandemisë mbetën këtu 3 fëmijë. Janë shumë mirë dhe ndërhyrjet kanë pasur sukses të plotë. Idriz Seferi është bërë operacion nga zemra, por falë Zotit, ndoshta edhe një muaj nuk do të zgjatë dhe do ta kthejmë disi. Idrizi është një vjeçar, Argjend Latifi është pesë vjeç, por është integruar shumë mirë te një familje austriake, si dhe Omer Vllasa nga Podujeva, i cili ka familjarë, të afërm të tij dhe po qëndron aty”, ka thënë Blakaj.

Tutje ajo ka treguar për vendet që bashkëpunojnë.

“Shqipëria ka qenë e para, pastaj Kosova, e kemi Moldavinë, dhe më parë kemi pasur edhe Afganistanin e Angolën, por ngase shumë larg dhe rrugët burokratike të vështira shoqata është orientuar më shumë në Kosovë dhe Shqipëri”, u shpreh ajo.

Por, Blakaj thotë se është moment i jashtëzakonshëm kur fëmijët shërohen, gjersa shton se asnjëri nuk e harron dhe ende mbajnë kontakt me të.

“Është një moment që nuk përshkruhet me fjalë kur fëmijët shërohen. Ata nuk më harrojën, më thërrasin kur diplomojnë, e kur të martohen. Ata më thërrasin edhe kur ndoshta unë i harroj”, ka thënë ajo.