Arbëri

Dreshaj: Pandemisë po i vjen fundi, 9 të infektuar të shtrirë në Infektivë

Nëntë pacientë me COVID 19 janë të shtrirë në Klinikën Infektive, derisa katër prej tyre janë në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga këta katër, tre janë me oksigjeno-terapi dhe një është në gjendje kritike.

Këtë e ka bërë të ditur mjeku kujdestar në Klinikën Infektive, Shemsedin Dreshaj. Për ksp ai ka thënë se në pritje të rezultatit të testit janë edhe dy persona.

Dreshaj ka theksuar se pacientët që janë në gjendje të rëndë klinike, janë të moshës së shtyrë.

“Aktualisht në Klinikën Infektive janë të hospitalizuar 11 pacientë, prej tyre 9 janë të konfirmuar me COVID-19 dhe 2 pacientë janë në pritje të rezultatit për sot… Aktualisht, në Klinikë prej këtyre 9 pacientëve që i kemi të konfirmuar, 4 janë në gjendje të rëndë shëndetësore. E prej këtyre katërve, tre janë me oksigjeno-terapi dhe 1 është në gjendje kritike”, ka deklaruar Dreshaj.

Sipas infektologut Dreshaj, me uljen e numrit të të infektuarve me COVID 19, i cili mbrëmë ishte zero, pandemisë po i vije fundi.

“Kemi pacientë të moshave të ndryshme, mirëpo këta pacientë që janë në gjendje të rëndë klinike janë të moshës së shtyrë.... Unë mendoj që jemi në bishtin e pandemisë, ashtu si të gjitha shtetet e rajonit të cilat janë aktualisht dhe mendoj që asaj po i vjen fundi”, ka thënë Dreshaj.

Të dielen, nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me COVID-19 në Kosovë.