Arbëri

Rama thotë se u shkarkua vetëm me supozime të Haxhiut

Rrahim Rama, i shkarkuar nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Konfiskuar dhe Sekuestruar (AAPKS), ka akuzuar ministren në detyrë të Drejtësisë, Albulena Haxhiun, për “shkarkim të padrejtë”.

Në Interaktiv të KTV-së, ai ka akuzuar Haxhiun për “nguti” në shkarkimin e tij.

Sot Rama ka paraqitur ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës të Shërbimit Civil të Kosovës duke kërkuar pezullim të vendimit për shkëputje të marrëdhënies së punës.

“Të gjithë në Sekretari të Qeverisë më thonë se këso raste s’kanë ndodhur që prej kur ka Qeveri të Republikës së Kosovës. Ka ndodhur kur kanë pas zyrtarë të lartë aktakuza e ka pasur procedurë tjetër. Ose pezullim ose arrestohen, por te rasti im, qe një ministër qysh në inicim thotë se kabineti ka gjetur shkelje ligjore. Inicion procedurën e për çudi koalicionin e udhëheq Haki Abazi e janë anëtarë Xhelal Sveçla, Emilia Rexhepi, Naim Bardiqi dhe Edi Gusia”, ka deklaruar ai. “Kjo do të thotë se asnjë anëtar i koalicionit të LDK-së nuk është në këtë komision gjë që më bën të dyshoj sepse e dimë që LDK-ja ishte në pushtet nga viti 2000 dhe ka më shumë përvojë në çështjet e administratës shtetërore. Ishte komision vetëm sa për të kryer punën, që i ka ngarkuar Albulena”.

Ai ka thënë se nuk ka arritur të shkonte në ftesën e komisionit për shkak të problemeve shëndetësore. Ka thënë se kjo nuk është miratuar nga komisioni.

“Një për qind po të dyshonin se dokumenti mjekësor nuk është valid kishin ngrit padi për dokument të falsifikuar. Direktiva dhe qëllimi i krejt kësaj ishte me më ndërpre marrëdhënien e punës. Qysh në fillim kur ka filluar inicimi është bë gabim. Për pozitat e larta janë dy çështje të ndara, për performancë dhe shkelje detyre. Këta kanë shkuar bashkë, qysh në start kanë shkelur ligjin. Për performancë duhet të formohet komisioni që të vërtetojë çfarë performance kam pas nëse s’ka pas vlerësim në katër javët e fundit. Duhet ekip profesional jo kabinet i ministrisë. Në kërkesë ajo thotë ne kabineti kemi gjetur shkelje. Nëse ishte profesional pse Haxhiu deklaron se është mashtruar nga stafi civil. Kjo ka emëruar një person që nuk e di a ishte këshilltar apo çka, Dukagjin Neziri, që ka udhëhequr gjithë procedurën për të gjetur gjetje për të më inkriminuar mua. I quaj me shirita të kuq sepse ata e pushtojnë pas orës 4. Nuk jam i vetëm. Në takimin që kam pas me ministren, kam pas drejtorin e Zyrës Ligjore edhe pse nuk isha në gjendje të mirë shëndetësore. Kam shkuar vetëm për të mos i ikur asaj që të mos më akuzojnë se s’po dua të ballafaqohem. Kur e kam pyetur kë e përfaqëson ti çuni? Tha punoj këtu. Thash ti punon këtu? Pastaj e ka emëruar dhe e ka shfuqizur vendimin pas vetëm katër orësh”, ka thënë Rama.

I pyetur për shkeljet që ka vlerësuar Ministria, Rama ka thënë se duhet të ketë shifra e jo vetëm supozime.

“A duhet të jetë ndonjë shifër sa është dëmtuar buxheti apo vetëm supozime. Po të ishte e vërtetë do të duhej të bëhej kallëzim penal në prokurorinë e shtetit. Qëllimi i saj ka qenë puro politik. Për informimin tuaj mua ma kanë vazhduar të tri qeveritë e fundit”, ka shtuar tutje ai.