Arbëri

Reshitaj thotë se IKSHPK-ja u ankua për mungesë të përkrahjes institucionale, demantohet

22:40 - Kuvendi publikon videoincizimin nga Komisioni i Shëndetësisë

Kuvendi i Kosovës ka publikuar videoincizimin nga Komisioni Parlamentar i Shëndetësisë. Aty drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani thotë se vendet tjera kanë pasur menaxhim katastrofal të pandemisë në krahasim me Kosovën.


Pas përfundimit të takimit të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë, kryetarja e këtij komisioni, Albena Reshitaj nga AAK-ja, ka thënë se kanë pasur ankesa nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë se s’kanë pasur përkrahje nga institucionet e vendit gjatë përballjes me pandeminë. Kjo është demantuar nga vetë IKSHPK-ja dhe Ministria e Shëndetësisë.

Reshitaj ka thënë po ashtu se ndër çështjet që janë diskutuar në mbledhjen e komisionit ishin testimet dhe se kush i monitoron ekipet mjekësore në Aeroportin e Prishtinës.

“Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik na është thënë se nuk kanë pasur shumë përkrahje institucionale gjatë kësaj periudhe”, ka thënë ndër të tjerash ajo. Ndaj kësaj deklarate ka pasur reagime nga IKSHPK-ja dhe MSH-ja. Këto institucione kanë thënë se një shqetësim i tillë nuk është shprehur në mbledhjen e komisionit.

“Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës thekson se nuk qëndron ajo që në disa portale citohet të ketë deklaruar Kryetarja e Komisionit për Shëndetësi Dr Albena Reshitaj, se ‘Nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik na u është thënë se nuk kanë pasur shumë përkrahje institucionale gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu, Kosova nuk ka pas kapacitete të mjaftueshme të bëjë testime të mjaftueshme, sidomos për të riatdhesuarit’”, thuhet në demantin e IKSHPK-së.

Sipas këtij instituti, drejtori Naser Ramadani madje ka “deklaruar para anëtarëve të komisionit se të gjitha rekomandimet e IKSHPK janë marrë parasysh nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qeveria e Republikës së Kosovës dhe janë shndërruar në masa të cilat kanë pasur efekt në zbutjen dhe mbajtjen në kontroll të situatës epidemiologjike. Gjithashtu, Prof. Naser Ramadani ka deklaruar se ka pasur kapacitete të mjaftueshme të bëhen testime dhe se asnjë person që ka pasur indikacione epidemiologjike nuk ka mbetur pa u testuar”, thuhet tutje në reagimin që përfundon se “lidhur me të gjitha këto deklarime para Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale të Kuvendit të Kosovës, ekziston transkripti dhe dëshmitë e anëtarëve të Komisionit të pranishëm në mbledhje”.

Në anën tjetër, Ministria e Shëndetësisë, ka thënë se shpreh keqardhjen “për të pavërtetat e vazhdueshme, gjysmë të vërtetat dhe keqpërdorimin e të dhënave faktike që po i adresohen Ministrisë kryesisht nga deputetë, në veçanti nga kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale”.

“Për fat të keq, deputetët e nderuar në çdo takim në komision, forum dhe diskutim nuk po i bëhen krah kësaj beteje të paprecedentë në historinë e re por po lëshohen jo rrallë në krijimin e një klime përçarje duke deziformuar jo rrallë, rreth punës së Ministrisë së Shëndetësisë dhe institucioneve vartëse të saj gjatë menaxhimit të pandemisë Covid-19. Së fundi, përmes deklarimeve të pamatura e mbi të gjitha jo të vërteta, dezinformojnë për kinse mos-mbështetjen nga ana e Ministrisë të institucioneve të tjera në menaxhimin e Covid-19, diçka që demantohet edhe nga vet rezultatet në terren, të cilat flasin për një menaxhim të mirë të situatës epidemiologjike sa i përket Covid-19. Këto rezultate janë vlerësuar nga shumë raporte të faktorëve kombëtar dhe ndërkombëtar ku Kosova numërohet në mesin e shteteve me menaxhimin më të mirë të pandemisë për rezultat në mesin e shteteve me shkallën më të ulët të vdekshmërisë nga Covid -19 që është indikatori kryesor për matjen e suksesit të menaxhimit të Covid-19”, thuhet në reagimin e MSH-së.

MSH-ja ka thënë se edhe pse deputetët janë informuar drejtpërdrejtë dhe me dokumentacion edhe për hierarkinë e veprimeve gjatë pandemisë, funksionimin e ekipeve mjekësore dhe vetë Qendrës Operative Emergjente, “Të njëjtit, japin informacione publike jo të sakta se kinse nuk dihet kush i kontrollon ekipet mjekësore në terren (në aeroport) dhe ekipet e tjera”.

Ministria e udhëhequr nga Arben Vitia ka thënë se këta deputetë “Me këtë, fatkeqësisht, lë të kuptohet se ata kanë njohuri minimale për organizimin dhe funksionimin e sistemit shëndetësor, në veçanti në kohë të emergjencave të shëndetit publik, e aq më pak për kujdesin shëndetësor dhe skemën e organizimit e funksionimit institucional sipas Planit për Gatishmëri dhe Reagim kundër Covid-19”.

MSH-ja ka komentuar edhe akuzat për vjedhje gjatë procedurave të prokurimit në kohë pandemie.

“I rikujtojmë të njëjtit se MSh ka ftuar autoritet relevante për të monitoruar proceset e prokurimit dhe abuzimeve eventuale (10 mars 2020) pas fillimit të pandemisë si Njësinë për hetimin e krimeve ekonomike të Policisë së Kosovës dhe Autoritetin Kosovar të Konkurrencës së Kosovës. Një kërkesë e njëjtë është bërë edhe para pak ditësh por edhe në çdo reagim publik është bërë e njëjta edhe publikisht. MSh, sikurse dje, sot, por edhe nesër u ka bërë ftesë të gjitha organeve që të hetojnë çfarëdo hetimi lidhur me secilin abuzim të mundshëm si dhe ka ofruar transparencë të plotë për seclin proces të zhvilluar me interes për publikun që nga fillimi i pandemisë”, thuhet në reagim.

Në fund, MSH-ja ka thënë se deputetët po shërbehen me “gënjeshtra rrugësh”.