Arbëri

Të premten, 10 raste të reja me koronavirus në Kosovë, një i shëruar

Descriptive Text

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se sot janë regjistruar 10 raste të reja me koronavirus dhe vetëm një i shëruar.

“Sot më 15 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 236 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren. Me SARS-CoV-2, janë konfirmuar 10 raste”, thuhet në njoftim.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Vushtrri), komuna e Ferizajt 4 raste (sipas vendbanimeve: 3 raste Ferizaj dhe 1 rast Rahovicë) dhe nga 1 rast në vendbanimet: Prishtinë dhe Randobravë-Prizren.

“Sot më 15 maj 2020, është shëruar edhe 1 pacient, derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 691 raste”, thuhet tutje në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK-ja njofton se nga data 08 shkurt deri më 15 maj 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 11.178 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre pozitive rezultojnë gjithsej 955 raste, me gjithsej 29 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

"Në IKSHPK në vazhdimësi përgjatë 24 orëve janë duke u kontaktuar dhe mbikëqyrë të gjitha kontaktet e rasteve, si dhe kontaktet e kontakteve duke i obliguar për vetëizolim dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore nëse kanë simptome". vazhdon njoftimi i IKSHPK-së.

Në nivel global, nga data 31 dhjetor 2019 deri më 15 maj 2020, sipas Worldometers, janë raportuar gjithsej 4.588.873 raste të COVID-19 dhe 306.185 raste të vdekjes.