Arbëri

Rreth 150 mijë automjete të pasiguruara në Kosovë

Foto: Koha / ilustrim

Përderisa Kosova tash e dy muaj po përballet me rrezikun e pandemisë së koronavirusit, është një rrezik tjetër ai i cili nuk po largohet tash e 20 vjet nga vendi.

Deri pak para shpalljes së pandemisë sipas statistikave zyrtare të Ministrisë së Punëve të Brendshme, numri i automjeteve të pasiguruara në Kosovë ishte rreth 150 mijë.

Drejtori i Shoqatës së Sigurimeve të Kosovës, Sami Mazreku, ka deklaruar se në sistem figurojnë 150 mijë automjete, ndërsa dëmet financiare të shkaktuara nga kompensimi për aksidentet për këto automjete që nga paslufta kapin vlerën e 44 milionë eurove, ose 4 deri në 8 milionë euro në vit.

Mazreku thotë se numri i këtyre automjeteve është në ngritje, pasi në vitin 2018 për herë të parë, si Shoqatë, kanë publikuar të dhënat ku numri ka qenë 110 mijë, kurse në vitin 2020 numri ka shkuar në 150 mijë. “Sigurisht që kjo është shqetësuese edhe ne kemi kërkuar nga MPB që minimalisht në fillim të nxjerrë një udhëzim ku kemi kërkuar që të pastrohet databaza e të paregjistruarve në sistem. Çka nënkupton kjo, sipas Ligjit të MPB të automjeteve çdo veturë e cila nuk është e regjistruara më shumë se dy vjet, ajo llogaritet se është teknikisht jo në rregull për të dalë në qarkullim. Ajo që kemi kërkuar është që këto mjete të pastrohen, që ne të kemi në sistem vetëm këto dy vitet e fundit, jo 150 mijë, po nëse mbesin 50-30-70 mijë, pasi nuk e dimë saktë. Ne kemi kërkuar përshkallëzim, pasi të listohen veturat të cilat nuk janë të regjistruara më shumë se dy vjet, të vendosim gjoba, sanksione shtesë dhe këtë numër të mundohemi ta ulim sa më poshtë”, u shpreh ai për “syri”.

Tutje, ai thotë se përderisa janë rreth 30 për qind e veturave të pasiguruara në Kosovë, është problem të diskutohet edhe çështja e Kartonit të Gjelbër. “Ky numër është problem, pasi të jesh anëtare e Kartonit të Gjelbër duhet të kesh jo më shumë se 5 për qind të automjeteve të paregjistruara”

Mazreku shton se edhe ndryshimet e legjislaturave po i vonojnë procedurat, pasi ka propozime për ndryshim të ligjeve, udhëzime të reja, po marrin kohë pasi po varen direkt edhe nga Kuvendi dhe Qeveria.