Arbëri

Përshtatja e fëmijëve me mësimin në distancë

Dy javë pasi u pezullua mësimi shkaku i pandemisë, edhe Kosova nisi me aplikimin e formave alternative të mësimit.

Nga 23 marsi, fëmijëve nga klasat 1 – 9 iu desh të qëndrojnë në shtëpi dhe mësimin ta ndjekin në RTK.

Dhe kështu, në vend të tabelës së zezë të klasës u vendos një ekran televizori, ndërsa orët e mësimit, me kohëzgjatje mesatare prej 10 minutash, u publikuan edhe në Youtube.

Ky ishte mësimi në distancë, raporton KOHA.

“Unë jam Nart Bajra, jam nxënës i klasës së gjashtë në shkollën fillore ‘Faik Konica’. Mësimin ia filloj në orën 12 deri në 12 e 30. Sa i përket mësimit online, unë jam mjaft i rregullt, i ndjek të gjitha mësimet që i transmetojnë në RTK. I bëj të gjitha detyrat, i dërgoj në një kohë të caktuar. Kështu shkon mirë, por mësimi në shkollë, nuk e zëvendëson askush”, thotë Narti, raporton KOHA.
 

Dy orë para Nartit, është koha e mësimit për Unikun, i cili thotë se po i pëlqen mësimi në distancë.

“Unë shkoj te televizori në 9 e 50, i përgatis të gjitha librat dhe në 10 e shikoj.
Për një ditë janë tri lëndë, por në përgjithësi i kemi 4: gjuhë shqipe, matematikë, shoqëria e mjedisi dhe njeriu dhe natyra. Nuk e di pse nuk kemi tjera ...”, thotë Uniku. “Më është dukur më lehtë se në shkollë”.

E me këtë nuk pajtohet vëllai i tij i madh.

“Unë mendoj se është më vështirë online, sepse nuk ka ndonjë mënyrë komunikimi me arsimtarët që shpjegojnë mësimin për ndonjë pakuptueshmëri. Por, fati që pakuptueshmëritë i bisedojmë me arsimtarët e shkollës”, shton Narti.


Në kushte normale, në klasën e 6-të i kanë mesatarisht 6 orë mësimi në ditë, e që tani janë zëvendësuar me disa minuta mësime për lëndë kryesore.

Shumë lëndë nuk janë përfshirë në mësimin në distancë, por mungojnë edhe disa prej elementëve më të rëndësishëm për filloristë: shoqërimi dhe lojërat me bashkëmoshatarët.

“Më mungon edukata fizike, sepse kam qejf të lozi me shokët futboll... po edhe me marrë pianon në shkollë, me këndu...”, thotë Uniku.
 

Muzika është shumë e rëndësishme për të dy dhe shpesh mbajnë orë këndimi.

Derisa gjithçka duhet të organizohet brenda katër mureve, prindërit pashmangshëm janë angazhuar në mësimet e fëmijëve të tyre.

“Angazhimi jonë thuajse maksimal. Për momentin barra është mbi prindin. Nëse ky ka sukses, është meritë e prindërve sepse nuk kanë mundësi me kërku sqarime nga mësuesit në TV, atëherë ne duhet të ulemi bashkë me bashkëshortin, këtë kohe i kemi nda punët. Ai merret me Nartin dhe unë me Unikun”, thotë Linda, nëna e Unikut e Nartit.

Në organizimin e mësimit në distancë ishin të angazhuar kryesisht mësimdhënës që punojnë në shkollat e Komunës së Prishtinës.

E hëna e parë e muajit maj shënoi edhe fillimin e punës së platformës E-shkollori, për nxënësit e kryeqytetit nga klasat 6-9.

“Ka qenë fat që i kemi mbështetur edhe ne me mësimdhënës. E kemi pa të nevojshme të fillojmë me e-shkollorin edhe pse ka qenë e planifikuar jo për kohë të pandemisë, por është e domosdoshme për këtë kohë. I kemi trajnuar ekipet brenda shkollës”, ka thënë Shpresa Shala, drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës.

E-Shkollori synohet që në shtator të bëhet gati edhe për klasat nga 1 deri në 5.

Prindërit pajtohen se, si zgjidhje, mësimi në distancë ose edhe përmes platformave është deri diku zgjidhje adekuate, por gjithsesi kanë një shqetësim.

“Brenga kryesore imja është te puna e vlerësimit, se qysh kanë me arrit me i vlerësu, sa është fëmija i përgatitur për atë test. Kjo është për mua brengë”, thotë Linda Bajra.

Ministria e Arsimit ka nxjerr së fundmi një vendim për format dhe procedurat e vlerësimit për të gjitha nivelet e arsimit parauniversitar, pas rrethanave të krijuara nga COVID-19.

Por, para se të mbërrihej në këtë pikë, shumë dilema ishin ngritur, si për shembull: sa ka qenë vijueshmëria, a kanë pasur të gjithë fëmijët kushte për të ndjekur mësimin në distancë, a do të llogaritet në tërësi ky vit shkollor që po shkon drejt fundit si i rregullt, ose nëse duhet përsëritur.