I vetëm përballë një virusi pa vaksinë, laboranti Florim Ahmeti sikur çdo ditë tjetër, vazhdon punën e tij brenda hapësirave të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik.
Që nga përhapja e koronavirusit në Kosovë, Ahmeti thotë se testimi i mostrave për Covid19 u bë pjesë e rutinës së tij të përditshme, raporton KOHA.
Ndonëse punë e vështirë dhe me shumë përgjegjësi, ai këtë e cilëson si përvojën më interesante përgjatë karrierës së tij 18-vjeçare si teknik në këtë institut.
Pjesën më të vështirë ai thotë ta ketë pasur gjatë ditëve të para kur u shënuan rastet.
Ndërsa shton se nuk mungoi edhe përzierja e emocioneve përballë rasteve pozitive, përkundër profesionalizmit dhe gjakftohtësisë që ia kërkon profesioni në kushte të tilla.
Sipas tij, nuk ka munguar as presioni psikologjik kur puna në laborator e ka privuar nga jeta normale me familjen.
Ndërkohë që edhe më të vështirë thotë ta ketë bërë presioni i punës për nxjerrjen e rezultateve.
Derisa nuk fsheh as gëzimin kur luftës me virusin e përmasave globale në Kosovë po i vjen fundi.
Suksesin e punës së tij ai ua dedikon të gjithë kolegëve në IKSHPK.
Deri tash, në Kosovë janë infektuar 862 persona, me gjithsej 28 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese. Ndërsa, numri i të shëruarve ka shkuar mbi 600.