Arbëri

Punëtorët ankohen për mosdhënie të pagave e largim nga puna

Foto: Koha / ilustrim

Të pakënaqur me trajtimin që iu është bërë nga punëdhënësit në vendin e punës në kohë të pandemisë, dhjetëra punëtorë i janë drejtuar Inspektoratit të Punës. Përveç ankesës për mospajisje me mjete mbrojtëse, kohëve të fundit janë shtuar edhe ankesat për ndërprerjen e marrëdhënies së punës e mosdhënie të pagave.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit të Inspektoratit të Punës, Valon Leci, ka thënë për gazetën se gjatë kësaj kohe kanë pranuar një varg ankesash, por që nuk ka dhënë shifra për numrin e tyre.

“Deri në fillim të muajit maj 2020 tërë kapacitetet tona inspektuese i kemi përqendruar në inspektime që lidhen me aspektin e sigurisë dhe shëndetit në punë, sepse bazuar në legjislacionin në fuqi, por edhe vendimet e Qeverisë së Kosovës, aspekti shëndetësor ka qenë prioritet”, ka thënë Leci.

Edhe pse thotë se masat për parandalimin e pandemisë COVID-19 janë respektuar, relativisht mirë ka pasur ankesa nga ana e punëtorëve. “Ankesat fillimisht kanë pasur të bëjnë me pajisje personale mbrojtëse. Tani së fundi kemi pranuar edhe ankesa që lidhen me marrëdhënien e punës dhe atë kryesisht me mosdhënie të pagave, dhënie të pushimit vjetor pa pagesë nga ana e punëdhënësit, por edhe me ndërprerje të marrëdhënies së punës”, ka thënë Leci.

Pas lehtësimit të masave nga ana e Qeverisë, ai ka thënë se do të fillojnë edhe me trajtimin e ankesave që lidhen me marrëdhënien e punës me një intensitet më të lartë.

Por, ai nuk ka dhënë shifra se sa është numri i ankesave që kanë pranuar gjatë kësaj periudhe.

Ka thënë se aktualisht janë në fazë të mbledhjes së ankesave të kësaj periudhe dhe se ende nuk kanë kaluar në fazën e shqiptimit të gjobave. Leci ka thënë se të gjithë inspektorët janë në terren duke u marrë me parandalimin e përhapjes së infeksionit COVID-19.