Arbëri

Thaçi kërkon t’i dërgohet emri i kandidatit për kryeministër, LDK-ja kërkon edhe pak kohë

Foto: Koha

Presidenti i vendit Hashim Thaçi, sot ia ka nisur edhe një letër Lidhjes Demokratike te Kosovës, të dytën brenda pak ditësh, ku i është kërkuar mandatari për formimin e qeverisë së re.

Kjo është bërë e ditur nga LDK-ja përmes një postimi në Facebook në orët e mbrëmjes.

LDK-ja tashmë ka zgjedhur kandidatin për qeverinë e re, Avdullah Hotin, por sipas saj, emrin e tij ende nuk e ka dërguar në Presidencë për ta mandatuar, meqë është në bisedime me partnerët e ardhshëm të koalicionit, AAK, NISMA-AKR dhe komunitetet.

“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, z. Isa Mustafa, sot ka pranuar letrën e dytë nga Presidenti i Republikës së Kosovës, z. Hashim Thaçi, lidhur me përpjekjet për formimin e shumicës parlamentare dhe krijimin e qeverisë së re. Kryetari i LDK-së, Dr. Isa Mustafa, ia ka kthyer letrën duke e njoftuar për angazhimet dhe takimet intensive të LDK-së, për të krijuar shumicën parlamentare, si dhe ka siguruar Presidentin se në një të ardhme shumë të afërt do të krijoj shumicën parlamentare dhe propozoj kandidatin për Kryeministër të Kosovës.

As Presidenca e as LDK-ja nuk i kanë bërë publike përmbajtjet e letrave.

Ndryshe, presidenti Thaçi letrat që ia ka nisur më parë VV-së, i publikonte menjëherë.

VV-ja ka paralajmëruar se do të dërgojë në Kushtetuese në rast se Thaçi ia jep mandatin LDK-së për të formuar qeverinë, duke e tejkaluar atë si fituese të zgjedhjeve të fundit.