7 perditesime
18:16

Pacolli paraqitet i sëmurë për të shmangur karantinën

Pas aterrimit në Aeroportin e Tiranës, deputeti Behgjet Pacolli është nisur drejt kufirit në Vërmicë për të hyrë në Kosovë.

Për t’iu shmangur karantinës në Qendrën e Studentëve, siç merr vesh KOHA, Pacolli do të thotë se ka probleme shëndetësore.

Sipas rregullave të institucioneve, një nga kategoritë që lirohen nga karantina janë personat me probleme shëndetësore.

Kryetari i AKR-së e ka akuzuar gjithë ditën qeverinë në largim Kurti për standarde të dyfishta, pasi që MSH-ja tha se ai duhet të karantinohet pas kthimit nga Zvicra.

17:50

Pacolli aterron në Tiranë

Pasi anuloi fluturimin për në Prishtinë, kreu i AKR-së, Behgjet Pacolli, ka aterruar në Aeroportin e Tiranës, mëson KOHA.

Sot Pacollit i ishte aprovuar leja për aterrim në Prishtinë, por ai ishte ankuar për masat e karantimit të vendosura nga Qeveria e Kosovës. Pasditen e së martës kishte vendosur të anulonte fluturimin për në Kosovë.

Image
17:33

Pacolli anulon fluturimin për në Prishtinë

Deputeti i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, ka anuluar pasditen e së martës fluturimin për në Prishtinë.

Në dokumentet e siguruara nga KOHA, shihet se piloti i Pacollit në një letër drejtuar autoriteteve të Kosovës ka bërë të ditur se është anuluar fluturimi i paraparë për sot.

“Të dashur operatorë. Fluturimi jonë për në Prishtinë është anuluar. Faleminderit”, ka shkruar ai në një letër rreth orës 16:00.

Ndërkohë, Pacolli ka vazhduar me ankesa përmes rrjeteve sociale, për trajtimin, sipas tij, të padrejtë.

“Dua të shoh se sa parimorë do të jenë Viola Von Cramon, Nataliya Apostolova e ambasadorët e Gjermanisë, Britanisë dhe të Amerikës në Kosovë në pengesat që Qeveria po bën ndaj atyre që nuk mendojnë njëjtë si Kurti në Parlament. Komuniteti ndërkombëtar nuk duhet të rrijë i heshtur ndaj veprimeve anti-kushtetuese të Kurtit”, ka shkruar ai në Twitter pas orës 17:00.

14:57

Pacolli: Tash më treguan se është lëshuar leja për aterim në Prishtinë

Pas një debati të gjatë mes institucioneve vendore dhe kreut të AKR-së Behgjet Pacolli, ky i fundit thotë se “tash më treguan se është lëshuar leje për aterim në Prishtinë”.

KOHA më herët ka raportuar se Pacolli vet e kishte anuluar dje fluturimin, derisa sot i është lëshuar leja.

“Tani me treguan se është lëshuar një leje për aterim në Prishtinë. Nuk di çka ka pas nevojë për krejt këtë inskenim. Nuk e di pse ka pas nevojë për “kërcënime”. Gjithë kjo me bën të ndihëm i pasigurt në vendin tim!”, ka shkruar Pacolli në Facebook.

14:15

MPJD-ja demanton Pacollin, thotë se s’i është anuluar leja për aterim në Prishtinë

Lidhur me lejen e fluturimit për Behgjet Pacollin, ka reaguar edhe shefi i kabinetit të ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Glauk Konjufcës, Kresnik Ahmeti.

Ahmeti thotë se është e pavërtetë që Pacollit i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës.

“Është e pavërtetë që deputetit të Kuvendit të Kosovës i është anuluar leja për aterim në Aeroportin e Prishtinës. Por, është e pamundur që Qeveria aktuale të bëj diskriminim të shtetasve të saj. Megjithëse sistemi aktual ekonomik e pamundëson që të jemi të barabartë, prandaj dikush vjen me aeroplan privat e dikush me autobus, para ligjit të gjithë jemi të njëjtë dhe para se gjithash në kohë pandemie shëndeti publik ka rëndësi mbi të gjitha dhe rregullat e vendimet e organeve përkatëse shëndetësore duhet të respektohen. Pra, leje për aterim ka. Por, vullnet për trajtim të veçantë jo”, shkruan ai.

14:08

Pacolli dje vet e anuloi fluturimin, leja iu aprovua sot

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli, ka publikuar një letër që sipas tij, është dëshmi se leja për aterim të cilën thotë ta ketë poseduar aeroplani i tij për në Aeroportin e Prishtinës, është anuluar.

Por, KOHA nga burime të saj brenda Ministrisë së Infrastrukturës dhe Ambientit, ka mësuar se Pacolli e ka anuluar vet dje fluturimin. Ndërkaq, sot në orën 11:00 iu ka aprovuar leja e re.

Kreu i AKR-së, gjatë ditës së sotme u ankua për moslejimin që iu bë nga qeveria që të aterojë me aeroplanin e tij në Aeroportin e Prishtinës, pa shkuar fillimisht në karantinim. Pacolli gjendet në Lugano të Zvicrës.

Ankesave të kreut të AKR-së i është përgjigjur edhe ministria e Shëndetësisë.

Në reagimin e kësaj ministrie shkruan se nuk është e njoftuar me “asnjë praktikë nga vendet e përparuara ku dikush për shkak të pozitës nuk i nënshtrohet kritereve të parandalimit të përhapjes së pandemisë”.

“Reagime të këtij lloji përçojnë mesazhe të gabuara tek qytetarët tanë të cilët po zbatojnë me korrektësi rekomandimet e institucioneve”, ka tërhequr vërejtjen MSH-ja.

Image
13:14

Pacollit i anulohet leja e aterimit në Aeroportin e Prishtinës

Kreu i AKR-së Behgjet Pacolli ka njoftuar se i është anuluar leja për të ateruar me aeroplan privat në Aeroportin e Prishtinës.

“Anulimi i lejes së uljes në Aeroportin e Prishtinës për aeroplanin tim është privim i drejtpërdrejtë i së drejtës sime për të lëvizur”, njofton Pacolli në Facebook.

12:21

Pacolli: Qeveria në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem në Kosovë

Lidhur me fluturimin e tij nga Zvicra për në Kosovë ka reaguar vet Behgjet Pacolli.

Pacolli e quan tronditëse faktin se s’po lejohet të vijë në Kosovë, mbi të gjitha, thotë ai, është shëndeti i tij që rrezikohet.

“Është tronditëse kjo që po ndodh me mua! Pas dy muajsh karantinimi së bashku me familjen time në Zvicër, nën asistencën shëndetësore, diçka që ua dëshmova me dokumente, më pengojnë të vij në Kosovë! Jam unë që rrezikoj duke ardhur në vendin tim nga Zvicra, një sistem kujdesi shëndetësor i përparuar, por dua të respektoj votën e qytetarit për mua!”, shkruan Pacolli.

LEXONI EDHE: Këshilltari i Pacollit: Karantina në konvikt është model kinez

Kujtojmë se dje Ministria e Infrastrukturës ka dhënë lejen që Pacolli të kthehet në Kosovë përmes aeroportit “Adem Jashari”, por ajo e Shëndetësisë, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se rregullat janë të njëjta për të gjithë qytetarët e Kosovës që vijnë nga jashtë, që do të thotë se duhet karantinim 14 ditësh.

Pacolli e ka kritikuar këtë vendim.

“Ju qeveritarë të Kosovës, kështu do bëni dhe me diplomatë zviceranë a perëndimorë që mund të vijnë në Kosovë? Do t’i karantinoni? Kush e bën këtë? Po e bën një qeveri të cilën unë e kam votuar! Për më shumë nuk kam votuar as mocionin për rrëzimin e saj!”, thotë ai përmes një reagimi në Facebook.

Pacolli, tutje përmes një reagimi thotë se “Kjo qeveri sot në mënyrë primitive, diktatoriale, më privon të kthehem ne vendin tim!”.

“Më pengon të zhvilloj veprimtarinë time parlamentare në shërbim të Atdheut tim! Akti ndaj meje, në kundërshtim me gjithë ligjet ndërkombëtare, madje dhe me vendimin e fundit të Gjykatës kushtetuese, nuk është akt force, por akt dobësie! Nuk është akt trimërie, por disfate! Nuk është qeveri e fortë, një qeveri që kapet pas pushtetit kësisoj dhe pengon veprimtarinë e parlamentit me çdo mjet, por qeveri e dobët! Kush jeni ju që paragjykoni veprimtarinë time parlamentare? Kush jeni ju që paragjykoni votën time? Po nëse unë do ta shpallja publikisht se do t votoja pro jush- a do të më pengonit? Jo, nuk e besoj! Ju kam votuar duke besuar tek rotacioni, tek energjia e re e votuesve tuaj, tek nevoja për ndryshim, por kjo që po ndodh ndaj meje, është zhgënjyese! Kjo është përgjigjja ndaj sjelljeve të mia ndaj jush!”, përfundon reagimin Pacolli.