12:36

LDK-ja thotë se i ka 64 vota për ta formuar Qeverinë Hoti

Arben Gashi pas mbledhje së LDK-së ku kreu i partisë Isa Mustafa ua prezantoi deputetëve qeverinë e re, tha se ishte mbledhje informuese.

“I pranishëm ishte edhe kandidati për kryeministër Avdullah Hoti. Me formalizimin e koalicioneve që po presim të bëhet shpejt, brenda ditës së sotme dhe nesër, të procedojmë me kërkesën për seancë të jashtëzakonshme për formimin e qeverisë së Kosovës”, tha Gashi, raporton KOHA.

Ai tha se pritet të formalizojnë mbi 61 deputetë, më pas do ta njoftojnë presidentin dhe ai do të lëshojë dekret për mandatarin.

Sipas Gashit, LDK-ja ende nuk ka nënshkruar asnjë koalicion.

Ai tha se të ftuar në takimin e sotme, kanë qenë të gjithë deputetët e LDK-së, përfshirë Vjosa Osmanin, porse kujtojmë se Osmani s’qe e pranishme në këtë takim.

Gashi tha se “më rezulton që i kemi 64 vota”.

“Lista Serbe do të jetë pjesë e koalicionit qeverisës”, u shpreh ai.

Tutje, Gashi ka thënë se “njëri nga ministrat e Listës Serbe mund të jetë zëvendëskryeministër”.

11:21

Mustafa mbledh deputetët e LDK-së, synon t’i bindë për votimin e qeverisë Hoti

Kryetari i LDK-së Isa Mustafa dhe i nominuari i kësaj partie për kryeministër Avdullah Hoti, kanë mbledhur të marten deputetët e LDK-së në selinë e partisë.

Mustafa e Hoti synojnë t’i bindin edhe disa deputetë, që janë kundër votimit të qeverisë Hoti dhe të koalicionit me AAK-në, Nismën dhe minoritetet.

Në këtë takim pritet të diskutohet edhe përbërja e kabinetit qeveritar, transmeton KOHA.

Deputeti Fatmir Rexhepi që ka qenë kundër rrëzimit të qeverisë së Albin Kurtit, ka thënë se votën e tij do ta tregojë në ditën kur të mbahet seanca për formimin e qeverisë, derisa ka shtuar se është për formimin sa më të shpejt të institucioneve.

E njëjtë ka qenë edhe përgjigja e Ardian Shalës, deputetit nga Suhareka që kishte votuar kundër rrëzimit të qeverisë Kurti.

“Do e shqyrtoj ende sepse kemi një kandidat nga LDK-ja dhe po ashtu kemi një vendim të ri nga Këshilli i Përgjithshëm. Do të vendosi ditën që të votohet ne Kuvend”, ka thënë ai.

Kryetarja e Kuvendit Vjosa Osmani e deputeti i Haxhi Avdyli nuk janë parë të kenë hyrë në takim.

Ishte paralajmëruar se marrëveshja për koalicion do të finalizohet shpejt, ndërkohë që po vazhdojnë konsultat për sigurimin e votave të domosdoshme. Me gjithë këto konsulta, mbetet e paqartë nëse janë siguruar 61 votat e domosdoshme për krijimin e Qeverisë Hoti.

LDK-ja aktualisht i ka 28 deputetë, por tre ligjvënës të kësaj partie, përfshirë kryekuvendaren, Vjosa Osmani, janë shprehur kundër një koalicioni me partitë që kanë qenë më herët në pushtet.

Ndërkohë, AAK-ja i ka 13 deputetë, Nisma 4, AKR 2, Lista Serbe 10 deputetë. Ndryshe prej AAK-së dhe Nismës, AKR-ja ende nuk ka vendosur nëse do të jetë pjesë e koalicionit me LDK-në.

Kurse komunitetet e tjera pakicë i kanë 9 deputetë, pasi Elbert Krasniqi i komunitetit egjiptian, pas përfundimit të zgjedhjeve i është bashkuar Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. Krasniqi ka thënë se janë duke i shkuar shumë oferta për t’u bërë pjesë e Qeverisë së re, por se ai “nuk do ta votojë një qeveri të re pa fituesin e zgjedhjeve”.

PDK-ja ndërkaq, ndonëse ka kërkuar të shmangen zgjedhjet, ka bërë të ditur se nuk e mbështet një qeveri të krijuar prej LDK-së.

Përpjekjet e LDK-së për krijimin e një qeverie te re vijnë pasi inicimit, prej saj, të mocionit të mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti. Pas kalimit të këtij mocioni në Kuvend, ajo u shpreh e gatshme ta marrë mandatin dhe ta krijojë Qeverinë.

Image