4 perditesime
21:52

Hoxhaj: Kemi lënë 470 milionë euro në rezerva shtetërore kur dorëzuam Qeverinë

Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në DESK të KTV-së ka thënë se Qeverisë i janë lënë 470 milionë euro në rezervat shtetërore, kur e dorëzuan qeverisjen. Këtë e ka pohuar teksa ka numëruar ato që i ka quajtur “dështime të Qeverisë për t’u marrë me tema të mëdha”.

“Për shembull, Qeveria del me plan të plotë se çfarë të bëjë me menaxhimin e situatës të pandemisë gjatë 4-5 muajve të ardhshëm. Rezervat e buxhetit, me sa e di unë, kanë qenë 470 milionë euro kur e kemi dorëzuar Qeverinë. Për këtë mund të japë kontribut edhe Bedri Hamza, ish-ministër i Financave. Ne e dijmë se rezerva shtetërore ka pasur një shumë të mirëfilltë”, ka thënë ai.

Hoxhaj po ashtu i është përgjigjur pyetjes nëse ka pasur përpjekje nga LVV-ja për t’iu çasur PDK-së. Ka thënë se mund të ketë pasur komunikime mes kryetarit të partisë së tij me subjektet tjera politike. Por, ka shtuar se ka dallime të mëdha midis dy partive.

“Me Vetëvendosjen kemi dallime të mëdha dhe ato nuk tejkalohen shpejt. Përvoja e këtyre 50 ditëve tregon që partneriteti mes partive politike është problem”, ka thënë ai.

Hoxhaj po ashtu e ka kritikuar programin e shpalosur nga Kurti në Kuvend. Pjesën e Politikës së Jashtme e ka quajtur “tekst të shkollës së mesme”. Ka shtuar se nga Qeveria ka pritur të merret më shumë me tema të mëdha.

21:27

Hoxhaj: PDK-ja do të jetë në qeveri vetëm kur t’i fitojë zgjedhjet

Enver Hoxhaj, deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së ka thënë në DESK të KTV-së se PDK-ja do të jetë në qeveri vetëm kur t’i fitojë zgjedhjet dhe kur të dalë subjekti i parë dhe "me kushtin e vetëm që PDK-ja ta udhëheqë qeverinë”.

“Pritjet tona janë këto: Nuk hyjmë në qeveri për t’u bërë pjesë e dikujt dhe po punojmë në mënyrë intensive t’i fitojmë zgjedhjet dhe kryeministrin ta ketë PDK-ja”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar se PDK-ja është në kërkim të vetvetes në politikë. “Jemi në komunikim me qytetarë të shtresave të ndryshme, me të rinj, të reja, profesionistë të ndryshëm, derisa ta kemi një kauzë të re politike, një program të ri, një vullnet të qartë se çfarë dëshirojmë të bëjmë”, ka thënë ai.

Ai është shprehur i sigurt që kurdo të mbahen zgjedhjet, PDK-ja do të dëshmohet si subjekt serioz. Por, ka shtuar se ajo për të cilën ka nevojë vendi, nuk është një Qeveri në detyrë.

“Nuk besoj që duhet ta kemi një situatë, kur për muaj të tërë qëndron një Qeveri në detyrë. Në interpretimin tonë të Kushtetutës, zgjedhje nuk mund të ketë”, ka thënë ai.

I pyetur rreth kësaj, Hoxhaj e ka elaboruar: “Jo çdo mocion i mosbesimit nëkupton zgjedhje të reja. Ka një mekanizëm në Kushtetutë të Kosovës ku janë tri situata, ku mund të shkohet automatikisht në zgjedhje të reja. Së pari nëse dështon zgjedhja e Presidenti në tri runde, së dyti nëse dështon formimi i qeverisë në dy runde brenda 60 ditësh dhe së treti nëse deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë vendosur ta shpërbëjnë Kuvendin dhe t’i japin fund mandatit të tyre”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka folur edhe rreth dialogut. Ka thënë se ai nuk ka shkuar mirë.

“Prej 2011-tës deri më 2014-tën, eventualisht 2016-tën ka pasur progres në dialog. Prej 2016-tës kur opozita e asokohshme nisi të sillet dhunshëm, t’i përdorë temat e politikës së jashtme për politikë të brendshme... realisht dialogu nuk i ka shërbyer më Kosovës. Por, mendoj që kur je në qeveri, nuk mund të zgjidhësh punët që dëshiron t’i kryesh dhe cilat jo”, ka thënë ai.

21:08

Hoxhaj: Për PDK-në, një marrëveshje potenciale për këmbim territoresh do të ishte e papranueshme

Deputeti dhe anëtari i kryesisë së PDK-së, Enver Hoxhaj, në DESK të KTV-së Hoxhaj ka thënë se për partinë e tij, një marrëveshje që do të përfshinte shkëmbim territoresh do të ishte e papranueshme.

“Jo, e kemi thënë. Kemi qenë super të qartë. Për më shumë, ka të bëjë me identitetin e PDK-së. Kemi pasur një rol të caktuar në faza të caktuara në të cilat ka kaluar Kosova. Jemi parti e themeluar prej UÇK-së dhe misioni i saj ishte çlirimi i territorit të Kosovës në këta kufij. Kemi pasur fatin ta menaxhojmë procesin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ta zbatojmë Pakon e Ahtisaarit. Dhe, qëndrimi ynë ka qenë i qartë”, ka deklaruar ai.

Ai më parë ishte pyetur nëse do të duhej pranuar këmbimi i territoreve. Është përgjigjur se më 2018-tën ka pasur qëndrim të presidentit Thaçi për korrigjim të kufijve dhe jo për shkëmbim të territoreve.

Hoxhaj në DESK ka folur edhe rreth taksës, si arsye e tensionimit të raporteve midis Qeverisë së Kurtit dhe Grenellit. Ka shpjeguar origjinën e dokumentit për taksat. Ka thënë se kanë ekzistuar dy koncepte.

“Njëri ka qenë a të vendosim taksë që ta dëmtojmë Serbinë ekonomikisht, apo të vendosim masa reciproke. Pikënisja jonë ka qenë pikërisht fushata e Serbisë për tërheqje të njohjeve dhe unë në vitin 2017 kam pasur informatë nga një vend i vogël evropian, që më ka thënë se ka informata të sigurta se Serbia do të tërheqë gjatë 2017-2018 dhjetë vende që e kanë njohur Kosovën. Vendi i parë do të jetë Burundi”, ka deklaruar Hoxhaj.

Ai ka vazhduar se këtë informatë e kishte ndarë me presidentin Thaçi, kryeministrin Haradinaj, Pacollin, Veselin.

“Kur filloi tërheqja e njohjeve, ne kemi pasur dy koncepte të shkruara se a mund të përdoret diçka si kundërbalans. Pritja jonë ka qenë që ne të vendosim taksën dhe Serbia ta suspendoi fushatën kundër njohjes së Kosovës dhe amerikanët kanë qëndruar prapa”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pritja e Qeverisë së atëhershme ka qenë që Amerika ta kushtëzojë Serbinë për ta suspenduar fushatën kundër Kosovës dhe sekretari Pompeo ka folur me Vuçiqin më 2018-tën, gjatë Asamblesë së Përgjithshme. “Edhe Grenelli e ka folur këtë më 2019-tën”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj ka vazhduar se Qeveria Haradinaj e ka shndërruar këtë gjë në parullë dhe program.

Duke iu përgjigjur pyetjes se ku qëndron problemi me reciprocitetin, duke e pasur parasysh se atë e përdor edhe SHBA-ja, Hoxhaj ka thënë se “nuk jemi Amerikë”.

“Ne jemi të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve”, ka deklaruar ai.

Hoxhaj ka thënë se po të zbatohej reciprociteti i plotë, atëherë ai do të ishte edhe ekonomik, edhe politik edhe tregtar, gjë që do të pamundësonte dialogu midis dy vendeve.

“Partnerët tanë amerikanë kanë mundësi që ta kushtëzojnë Serbinë”, ka thënë ai.

“Sot aktualisht, askush nuk fol për shkëmbim territoresh. Çdo herë po e thotë Grenelli. E ka thënë dy herë gjatë javës së kaluar. Ajo çfarë po thuhet në Prishtinë se ne po i ikim dialogut se ka marrëveshje të gatshme dhe harta, mund ta them një gjë: Kjo është gënjeshtër”, ka thënë ai.

20:47

Hoxhaj: Kurti shfaqi tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë

Sipas deputetit të PDK-së, Enver Hoxhaj, kryeministri në detyrë Albin Kurti ka shfaqur tendencë absolutiste të menaxhimit të Qeverisë.

Në Deskun e Kohës, Hoxhaj ka folur për rrëzimin e Qeverisë duke thënë se “ky veprim ka qenë hap i duhur” e se prishja e qeverisë “erdhi nga vetë ata që ishin në pushtet”. Hoxhaj ka thënë se nëse dy parti në kohë pandemie, krizën shëndetësore e kthyen në krizë politike “ne s’mund të kemi pritje se ato do të menaxhojnë vendin gjatë pandemisë”.

“Vlerësimi im, në pikëpamjen edhe partiake edhe personale pse erdhi te prishja e qeverisë është nga mënyra si negociuan, prej mënyrës si krijuan kabinet pa program politik e prej mosbesimit të thellë dhe prej tendencës goxha absolutiste të kryeministrit për të menaxhuar qeverinë siç menaxhon partinë politike. Kjo çoi te prishja e Qeverisë. Në Qeveri mund të kesh pikëpamje të ndryshme por duhet të harmonizohen. Në demokraci udhëheq edhe partia e parë, edhe e dytë, edhe e tretë, është sistem kompleks”, ka thënë Hoxhaj.

Sipas Hoxhajt, tendencë absolutiste ka qenë edhe “mënyra e shkarkimit të ministrit të Punëve të Brendshme Agim Veliu”.

Megjithatë, ai ka thënë se ky ka qenë vetëm pretekst për rrëzimin e Qeverisë, por ka shtuar se “Kurti ka qenë i papranueshëm edhe për LDK-në, por edhe për partnerët e Kosovës”.

Tutje ai ka kritikuar qasjen e Kurtit me deklaratat për SHBA-në dhe ambasadorin Richard Grenell.

“Kur ka thënë një kryeministër i Kosovës se si për shembull shpërtheu lajmi në The Guardian nuk është mirë për vendin, se kinse Amerika ka ndërhyrë në Kosovë, ka bërë puç apo çfarëdo fjale ka përdorur ai. Jemi në hartën e botës për shkak të njohjes amerikane e evropiane. Nëse ne bëjmë hartë këtu, pjesa e botës demokratike e liberale që beson në këto vlera e ka njohur Kosovën”, ka shtuar Hoxhaj.

Ai ka thënë se deklarata e fundit se Grenelli ishte përfshire në rrëzim të qeverisë “është më shumë se skandal”.

20:28

Hoxhaj: Po të shpallej gjendja e jashtëzakonshme, numri i të infektuarve do të ishte më i vogël

Enver Hoxhaj, deputet dhe anëtar i kryesisë së PDK-së, në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se sikur të shpallej gjendja e jashtëzakonshme para pesë javësh në Kosovë atëherë numri i të infektuarve do të ishte më i vogël.

Ai ka lavdëruar mjekët, policinë e shërbyesit e tjerë civilë për luftimin e Covid-19.

“Një punë jashtëzakonisht të mirë kanë bërë mjekët, policia, mësimfhënësit, shërbyesit civilë. IKSHKP-ja, Klinika Infektive kanë treguar se në këtë vend është krijuar një kapacitet i mirëfilltë për të reaguar në situata të tilla”, ka thënë Hoxhaj. “Në këtë kohë më shumë kanë udhëhequr mjekët. Reagimi mendoj se ka qenë i duhur”.

Sipas tij ka munguar një koncept i menduar mirë.

“Çfarë kanë bërë vendet e tjera është se kanë pasur një koncept afatshkurtër. Dhe mandej kanë bërë plan afatgjatë për pasojat pas pandemisë. E në Kosovë një gjë të tillë nuk e kemi parë. Përkundrazi ka pasur veprime ‘ad-hoc’. Nëse para 5 javësh do të shpallej gjendje e jashtëzakonshme numri i të infektuarve do të ishte më i vogël. E kjo pasi kontakti do të ishte më i vogël. Qëllimi kryesor ka qenë që të mbyllen kufijtë, të kontrollohen njerëzit dhe të menaxhohej më mirë. Së dyti ka teste pak. Nuk ka pas një qasje të menduar mirë”, ka thënë ai.

Hoxhaj ka shtuar se në kohën kur ka shpërthyer pandemia në disa vende evropiane, ka qenë e lehtë e paraparë që qasja e qeverisë do të duhej të ishte më rigoroze, të shpallej gjendja e jashtëzakonshme dhe do të ishin bërë më shumë teste.

E kjo sipas tij do të bënte që vendi do të niste të hapej, siç është duke bërë tani Austria.

“Nëse do të kishte koordinim të mirë, një qasje të gjithëmbarshme jam i sigurt se numri i të infektuarve do të ishte më i vogël. E vetmja përparësi të mos liberalizimit të vizave ndoshta ishte që të mos kemi shumë lëvizje. E Qeveria ka marrë vendime që i ka kontestuar Kushtetuesja”, ka thënë ai.

Ai thotë se edhe në kohë të pandemisë duhet të respektohen Kushtetuta dhe ligjet.

“Dhe të ruajmë funksionalizimin e shtetit dhe nëse një qeveri ka mungesë të dijes dhe të vizionit. Përkundrazi se si është sjellë Qeveria vetëm në veri të vendit, duke e dorëzuar pushtetin te zyra e Marko Gjuriqit. E me pranimin e 1 mijë testeve nga Serbia. E dihet se Serbia është kritikuar shumë për raportin e saj me Kinën e Rusinë. Një pjesë e këtyre ndihmave kanë ardhur pranimi i disa testeve”, ka thënë Hoxhaj.

Ai ka thënë se testet nga Serbia s’do t’i pranonte.

“Në asnjë situatë ne nuk do t’i pranonim ato teste. Ajo çfarë ka ndodh në veri, nuk kanë qenë raste të izoluara. Nuk do të duhej që përmes pranimit të këtyre teste t’i jepnin Serbisë kredibilitet e prestigj. Mendoj se gabimi i madh është se ja ka ndërruar imazhin Serbisë. Kur një vend i cili ka qenë në qendër të kritikes ndërkombëtare”, ka thënë Hoxhaj.