Arbëri

Haradinaj “me kënaqësi” refuzon ftesën e Kurtit kundër Covid-19

Foto: Koha

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook ka konfirmuar se ka refuzuar ftesën e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për një tryezë të përbashkët për luftimin e Covid-19.

Kurti ka ftuar krerët e partive që të koordinohen dhe të bashkëpunojnë për luftën ndaj Covid-19, transmeton Koha.net.

Haradinaj ka shkruar se, “përmes kësaj letre i jam përgjigjur ftesës së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për pjesëmarrje në tryezën lidhur me pandeminë Covid-19”.

Haradinaj, ndër të tjerash, e akuzon Kurtin për mos menaxhim të mirë të situatës së pandemisë, duke ia përmendur edhe “shkeljet kushtetuese për lëvizjen e qytetarëve”.

"Përderisa ftesat tuaja janë të vona e në raport me zhvillimin dhe nuk janë të kualifikuara me legjitimitet institucional e politik, me kënaqësi ju njoftoj se nuk do të marrë pjesë asnjëherë në tryezat e tilla”, ka shkruar Haradinaj.

Ai e quan Kurtin edhe mashtrues dhe joserioz, derisa thekson se pas mocionit të mosbesimit tashmë i mungon edhe legjitimiteti.

“Të kujtoheni, që pas më shumë se një muaj e gjysmë gjendje emergjente, të thërrisni tryezë debati lidhur me pandeminë, me akterë institucionalë dhe përfaqësues të partive politike parlamentare është dëshmi e qartë se ju jeni joseriozë, anti-institucional dhe mashtrues. Për më tepër, pas shkarkimit me mbi 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ju nuk e keni legjitimitetin e nevojshëm për përgjegjësitë që ju pretendoni t’i ndërmerrni në përgjithësi”, thotë Haradinaj.

{gallery}