Arbëri

30 të vdekur e 663 të infektuar me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut

Foto: Reuters / ilustrim

Numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedonisë e Veriut ka arritur në 30. Ministria e Shëndetësisë në raportin e ditës së enjte ka njoftuar edhe për një viktimë, një grua 27-vjeçare nga Kumanova, e cila ka vdekur të mërkurën në mbrëmje.

Viktima, siç bëhet e ditur, para një jave kishte lindur një foshnje e cila nuk është infektuar me koronavirus.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, ka informuar edhe për 46 raste të reja të të infektuarve me çka numri i përgjithshëm i të prekurve me COVID-19 ka arritur në 663 persona. Numri më i madh i të infektuarve është në Shkup, Kumanovë, Prilep, Dibër dhe Tetovë, raporton REL.

Deri më tani mbi 6,500 persona janë testuar për koronavirus ndërsa 37 është numri i personave që janë shëruar. Në izolim dhe karantinë shtetërore janë mbi 10 mijë persona.

Ndërkohë, sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, edhe gjatë natës së kaluar janë regjistruar raste të shumta të mosrespektimit të masave të qeverisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. MPB-ja njoftoi se në nivel të shtetit, 97 persona kanë shkelur orën policore; 62 persona janë ndaluar, 10 janë paralajmëruar ndërsa të tjerëve u janë marrë të dhënat dhe ndaj tyre do të vazhdojë procedura përkatëse gjyqësore.