Arbëri

Uka: Do të dëshironim që ky të ishte piku, por po përgatitemi për më keq

Sami Uka, këshilltar politik i ministrit në detyrë të Shëndetësisë, Arben Vitia ka thënë në Interaktiv të KTV-së se numri i të infektuarve me koronavirus në Kosovë duhet pritur se do të rritet, teksa ka shtuar se në rastin më të mirë, vendi do të mund të niste me heqjen graduale të masave kah fundi i prillit.

“Do të dëshironim që ky të ishte piku me kaq pak numër të të infektuarve dhe kaq pak viktima, por ne po përgatitemi për akoma më keq, duke shpresuar se do të ndalemi me kaq. Nuk mund ta dijë këtë askush, nuk kemi as përgatitjet dhe as informatat e domosdoshme për të thënë se kemi arritur pikun. Personalisht do të isha i kënaqur nëse kah fundi i muajit nisim t’i heqim gradualisht masat”, ka thënë ai.