Arbëri

Mbërrin në 184 numri i të infektuarve me koronavirus

Foto: Alban Bujari/ Koha Ditore

Gjashtë persona janë shëruar dhe gjithsej nëntëmbëdhjetë raste të reja me koronavirus janë regjistruar të marten në Kosovë, në tre turne testimi, duke e ngritur në 184 totalin e te infektuarve.

Kjo është bërë e ditur nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike, përmes një njoftimi.

Në njoftimin e IKSHPK-së shkruan se rastet pozitive janë raste kontakti: shtatë me vendbanim në Smrekonicë-Vushtrri, tre nga Prishtina, dy nga Seniku-Malishevë dhe nga një rast nga vendbanimet në Llashkadrenovc-Malishevë, Sazli-Ferizaj, Ujmir-Klinë, Gjakovë, Gjilan, Topanicë- Kamenicë dhe Vushtrri.

IKSHPK-ja po ashtu ka bërë të ditur se të marten janë shëruar edhe gjashtë pacientë tjerë, duke bërë që numri i të shëruarve deri më sot të shkojë në 30.

“Nga data 08 shkurt deri më 07 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 2.352 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2 dhe prej tyre, pozitive rezultojnë gjithsej 184 me 5 raste të vdekjes të cilët kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese”, shkruan në njoftim.