Arbëri

Kuvendi dhe Qeveria ndriçohen me të kaltër për Ditën Botërore të Autizmit

Descriptive Text

Ndërtesa e Kuvendit të Kosovës dhe ajo e Qeverisë i janë bashkuar aktivitetit global për shënimin e Ditës Botërore të Autizmit.

Këto ndërtesa janë ndriçuar në mënyrë simbolike me ngjyrë të kaltër, në shenjë të solidaritetit me personat me autizëm dhe në funksion të ndërgjegjësimit për autizmin në të gjitha nivelet e shoqërisë.

Dita Botërore e Autizmit është vendosur nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, me rezolutën “62/139” në vitin 2007, si një përpjekje për t’i dhënë fund diskriminimit ndaj personave me autizëm. ​

Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, përmes një postimi në Instagram, tha se sipas raporteve, del se në Kosovë, 1 në 100 fëmijë janë më autizëm, mirëpo, sipas saj, evidente është mungesa e statistikave të sakta.

Shumë familje kosovare, thotë Osmani, ende vazhdojnë të izolojnë fëmijët e tyre autikë e hezitojnë të flasin për sfidat me të cilat ballafaqohen, e gjitha kjo për shkak të stigmatizimit që i bëhet personave me autizëm në shoqëri.

“Ende nuk dihet saktë se çfarë e shkakton autizmin e si rezultat nuk ka ende një kurë për të. Mirëpo, është e qartë tashmë që empatia qëndron në epiqendër të përpjekjeve tona për të ju lehtësuar sfidat personave me autizëm dhe familjeve të tyre. Në veçanti, diagnostikimi i hershëm, terapia e vazhdueshme, integrimi në shoqëri e në veçanërisht në shkolla, na ndihmon dukshëm në këtë drejtim”, tha Osmani.

Tutje, ajo shtoi se në vend se ta shohim si sfidë vetizolimin gjatë pandemisë, kemi shansin ta shndërrojmë në një periudhë të artë gjatë së cilës reflektojmë e edukohemi për çështje, fenomene e dukuri që fatkeqësisht në përditshmërinë normale tejet dinamike i marrim si të mirëqena.

“Nuk ka mënyrë më të mirë për të shënuar këtë ditë sesa të ndërgjegjësohemi për karakteristikat e personave me këtë gjendje, të kuptojmë se si autizmi ndikon në aftësinë e tyre për të bërë gjëra që shumica nga ne i konsiderojnë të zakonshme, dhe të identifikojmë mënyrat se si në vend që të kërkojmë nga ata të ndryshojnë, të shohim se si mund t’i kuptojmë më mirë dhe t’ju ofrojmë vendin e merituar në shoqërinë tonë. Personat me autizëm shquhen për botën e tyre ku dominon ndershmëria, përkushtimi i thellë dhe përqendrimi i plotë në gjërat që bëjnë– janë pikërisht këto vetitë për të cilat ka nevojë Kosova dhe e gjithë bota në këto kohë sfiduese”, u shpreh Osmani.

“Përderisa sot shënojmë Ditën ndërkombëtare të ndërgjegjësimit për autizmin, le të sigurohemi që çdo ditë tjetër të gjejmë kohën, të dizajnojmë politikat dhe të identifikojmë mjetet e duhura për të kaluar nga ndërgjegjësimi për autizëm në veprim për autizmin”, theksoi në fund të postimit, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.

{gallery}