Arbëri

Surroi: Vendimi i Kushtetueses për lirinë e lëvizjes do të mbahet mend gjatë – jo për mburrje

Foto: Driton Paçarada \ KD

Gjykata Kushtetuese, pak minuta më parë, publikoi vendimin e saj në lidhje me kërkesën e presidentit Hashim Thaçi për të vlerësuar kushtetutshmërinë e vendimit të Qeverisë së Kosovës për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve dhe automjeteve si masë për parandalimin e përhapjes së koronavirusit COVID-19.

Kushtetuesja tha se një vendim të tillë mund ta marrë vetëm Kuvendi i Kosovës.

E ndaj këtij vendimi ka reaguar publicisti Veton Surroi, i cili thotë se ky vendim “ka gjasa të mbahet mend gjatë në rrëfimet juridike gjithandej botës si shembull, dhe jo për mburrje”.

“Do të mbahet mend edhe në analet e Kuvendit. Sepse herën tjetër kur duhet kufizuar qarkullimin e njerëzve dhe veturave te Stadiumi ‘Fadil Vokrri’ për ndeshjen e përfaqësueses të Kosovës, Kuvendit do t’i duhet të kalojë ‘Ligjin për kufizimin e kalimit të veturave dhe personave në rrugët X,Y, Z, para, gjatë dhe dy orë pas ndeshjes Kosovë-Angli’”, ka thënë Surroi në një postim në Facebook.

Lexojeni të plotë postimin e Surroit:

NJË LEXIM I SHPEJTË I VENDIMIT TË GJYKATËS KUSHTETUESE NË RASTIN COVID-19

Në vendim lexova këtë si pikën më të fortë të Gjykatës për favorizimin e pretendimeve të H.Thaçit:

IV. TË KONSTATOJË që, bazuar në nenin 55 [Kufizimi i të Drejtave dhe Lirive Themelore] të Kushtetutës, kufizimi i të drejtave dhe lirive themelore mund të bëhet “vetëm me ligj” të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Pra Gjykata mendon se duhet një ligj i veçantë (jo zbatim i një ligji të miratuar më parë, si ligj për mbrojten e ambientit, të shëndetësisë, etj) dhe kjo do të thotë se Qeveria duhet ta propozojë e Kuvendi ta kalojë diçka si “ Ligj për kufizimin e lirive të qarkullimit etj gjatë pandemisë COVID-19”.

Ka gjasa të mbahet mend gjatë në rrëfimet juridike gjithandej botës si shembull, dhe jo për mburrje.

Do të mbahet mend edhe në analet e Kuvendit. Sepse herën tjetër kur duhet kufizuar qarkullimin e njerëzve dhe veturave te Stadiumi Fadil Vokrri për ndeshjen e përfaqësueses të Kosovës , Kuvendit do t’i duhet të kalojë “Ligjin për kufizimin e kalimit të veturave dhe personëve në rrugët X,Y, Z , para , gjatë dhe dy orë pas ndeshjes Kosovë-Angli”.

Argumenti juridik është i njëjtë.