Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi kërkoi një linjë të veçantë të pakos emergjente edhe për mediat.
Sipas tij, për shkak të reduktimeve drastike të të hyrave nga marketingu, shumë gazetarë rrezikojnë të mbesin pa paga, ndërsa falënderoi mediat për përkrahje të sektorit privat.
“Të gjithë sektorët e ekonomisë janë prek indirekt dhe direkt nga pasojat e kufizimit dhe ndaljes të aktivitetit për shkak të masave për parandalimin e përhapjes të pandemisë. Mediat në asnjë moment nuk e kanë ndal punën në informimin e drejt të publikut, vetëdijesimin për kujdes dhe ruajtje të shëndetit, por edhe përkrahje të kauzës të drejtë për ruajtje të vendeve të punës. Paradoksalisht, për shkak të reduktimeve drastike të të hyrave nga marketingu, shumë gazetarë rrezikojnë të mbesin pa paga, prandaj është e domosdoshme një linjë e veçantë e pakos emergjente e dizajnuar për mediat, njëjtë si për sportin. I falënderojmë të gjithë mediumet për përkrahje të sektorit privat”, shkroi Rukiqi në Facebook.
E një gjë të tillë ka kërkuar edhe deputeti i AAK-së, Ali Berisha.
“Ministria e Financave, vet ministri në detyrë, urgjentisht të marrë masa konkrete, efikase që krahas shpërblimit për Mjekët, Zjarrëfikësit dhe Policët, të kategorizoi edhe gazetarët. Janë në shërbim, janë në detyrë dhe mision, janë brenda vatrave të krizës, janë aty ku duhet dhe ku po kërkohet”, ka shkruar Berisha.
Tutje ai ka shtuar se, “kam parasysh këtu ndarjen, sektor publik me atë privat, por kjo nuk pengon që me një ekspertizë të shpejtë të profesionistëve ekonomik, të gjendet një modalitet dhe zgjidhje. Flas për gazetarët, jo për institucionet mediale. Jam shumë i qartë, krahas asaj që mediat mund të përfitojnë si sektor privat, thelbi i kërkesës time qëndron tek gazetari të cilin e shohim krah mjekut, policit, zjarrfikësit duke rrezikuar veten dhe familjen. Jam mjek, nuk jam ekonomist, por jam i gatshëm të jap kontributin tim si deputet”.