Konjufca: LDK-ja dëmtoi Kosovën, e jo Vetëvendosjen

26 March 2020 20:35
21:57

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në emisionin “Desku” të KTV-së ka thënë se ajo çfarë ka ndodhur mbrëmë e ka dëmtuar shumë Kosovën në arenën ndërkombëtare, derisa thekson se me një gjë të tillë LDK-ja e dëmtoi Kosovën e jo Vetëvendosjen.

“Kjo situatë në arenën ndërkombëtare e dëmton pamasë shtetin e Kosovës. Jemi vendi i vetëm që në kohë koronavirusi marrim mocion mosbesimi. Këtu LDK-ja dëm i ka bërë Kosovës e jo Vetëvendosjes apo Albin Kurtit. Krejt lajmet në mediat botërore sot ishte se si është e mundshme që kjo me ndodhë”, ka thënë Konjufca.

Ai tutje ka thënë se nuk kanë mundur t’i kthejnë të gjithë qytetarët për shkak të numrit të madh të tyre e kapaciteteve të vogla të Kosovës për t’i karantinuar.

“I kemi kthyer qytetarët së bashku në mënyrë të organizuar, nuk kemi mundur t’i kthejmë të gjithë. Rreth 3 mijë persona janë jashtë, e për ne është numër i madh. Kemi ardhur në përfundim që kjo të bëhet në faza-faza. Ju kërkoj falje atyre që janë ndjerë të anashkaluar, por kjo ka të bëjë me kapacitetet tona që kemi për karantinim. Ata po kthehen vazhdimisht, e këtu kemi pasur një bashkëpunim shumë të mirë me Abdixhikun”, u shpreh Konjufca.

Ai ka folur për shkarkimin e 14 konsujve, dhe kthimin e 7 ambasadorëve.

“Së pari e kam marrë vendimin për kthimin e 14 konsujve të paligjshëm. Kur e kam bërë listën kanë dalë që janë shtatë. Një vendim tjetër që kam marrë e që se kam marrë publike është për shkak të koronavirusit, porse gjithashtu është procedurë e brendshme e jona. Koha ka qenë dy muaj për kthimin e shtatë ambasadorëve. Ka pasur deklaratë të presidentit, i cili ka thënë se ata e vazhdojnë punën. Ajo që ka bërë veprim shumë të mirë është Vlora Çitaku, kthimi i saj nuk ka lidhje me performancën e saj, por i ka përfunduar mandati. Me gjithë respektin për punën e saj. Është e rrezikshme me thënë ke qenë shumë e mirë dhe qëndro atje duke e shkelur ligjin. Presidenti s’ka të drejtën e vetos mbi vendimet e mia”, tha Konjufca.

Ai tutje ka sqaruar se çfarë ndodhi me mos njohjen nga Xhamajka, që presidenti Thaçi dhe Konjufca e kishin shpallur atë.

“Me mosnjohjen e Xhamajkës ka qenë kështu. Çitaku e ka thirrur presidentin, ajo është dashur të më thirrtë mua, por kjo nuk është jashtë standardit dhe skandaloze. Presidenti është ngutë dhe pa e shqyrtuar një procedurë e cila është posedimi i notës verbale, në Tëitter postoi urime njohjen. Në momentin që ka dalë kjo nga presidenti unë kam marrë një mesazh nga drejtori i Përgjithshëm i MPJ-së, mesazhi thotë se Xhamajka na ka njohur. Praktika e deri tashme thotë se gjithmonë lajmëruesi i njohjes, këtë rast ambasadorja e ka notën verbale të njohjes. Kështu që në këto momente e ka thënë presidenti dhe e kemi konfirmuar se ka folur me ambasadoren ne e kemi marrë si të mirëqenë”, ka deklaruar Konjufca.

Ai tutje thotë se ka qenë shumë e pamundur të kontaktojë me Ministrin e Jashtëm të Xhamajkës për të sqaruar këtë çështje.

“Sipas krejt informatave që kemi ajo nota verbale që ia ka dërguar Serbisë është e vërtetë. Nëpërmjet të gjitha kanaleve diplomatike që unë jam përpjekur të vë kontakt me ministrin e Punëve të Jashtme të Xhamajkës për mua ka qenë e pamundur. Ata kanë qenë shumë të mbyllur”, tha ai.

Konjufca thotë se Kosova ka 116 njohje.

“Është shumë problematike (çështja e notave verbale të njohjeve) pasi qasja e ministrave paraprak ka qenë problematike pasi nuk është ndjekur një rrugë zyrtare të notave verbale të njohjes. Numri i njohjeve të Kosovës, përmes asaj që janë në formë të deklaratave të ministrave, është 116. Por, mendoj se nuk mund të ketë më shumë se 112 nota verbale të njohjeve”, ka thënë Konjufca.

21:36

Konjufca thotë se është e rrezikshme që një Qeveri teknike të negociojë me Serbinë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se është e rrezikshme që një Qeveri teknike të negociojë me Serbinë.

Ai thotë se një ide e tillë e përmendur nga kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, është e gabuar dhe e rrezikshme.

Konjufca në emisionin “Desku” në KTV ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje, nuk do të jetë pjesë e një Qeverie teknike.

“Lëvizja Vetëvendosje e përjashton një qeveri teknike në të cilën hyjnë të gjitha forcat teknike. Do të ishte një qeveri menaxheriale e Kosovës, nuk i duhet Lëvizjes Vetëvendosje, pjesëmarrja në një të tillë. Populli ka pritur gjatë që Kurti ta tregojë vetën si kryeministër, nuk ja lejuan këtë gjë, as partneri i koalicionit, motivet e të cilit do të dalin. Ideja e tij është qe të kemi një Qeveri të dobët teknike e ajo të shkojë në negociata me Serbinë. Kjo është e rrezikshme. Përderisa ekziston qeveria teknike duhet të pezullohet dialogu me Serbinë. Me këso ide që ti ke kryeministër më të dobët se kryetarët e partive politike, dhe shkon para Vuçiqit, kjo është e rrezikshme dhe nuk duhet të ndodhë”, ka thënë ai.

Ndërkaq antikushtetuese e ka quajtur deklaratën e Thaçit, i cili ka thënë se do t’i thërrasë partitë politike për negocim lidhur me Qeverinë e re.

Konjufca tutje ka folur edhe për idenë për shkëmbim të territoreve, të paraqitur fillimisht nga presidenti Hashim Thaçi.

Konjufca thotë nga marsi i 2018 është negoicuar shumë në këtë drejtim.

“Ka indikacione të qarta që ka pasur negocime sekrete që do arrihej një zgjidhje që do e lëvizte kufirin, edhe në media prestigjioze janë botuar pjesë të këtij negocimi. Presidenti Thaçi ka thënë se ‘ne do ta kemi një kufi me Serbinë i cili do të jetë i gjatë 430 kilometra”, thotë ai.

Ai thotë se presidenti nuk mund të jap zgjidhje me kilometra.

“Përshtypja që Kurti e ka krijuar është që marrëveshja tashmë është shkruar. Thaçi i ka thënë Kurtit se vetëm duhet ta heqësh tarifën dhe brenda orëve mund të shkojmë ta nënshkruajmë marrëveshjen”, ka thënë ai.

21:20

Konjufca thotë se VV-ja ka dy plane përpara, shton se presidenti tregoi se është i gatshëm të shkelë Kushtetutën

Glauk Konjufca në “Desk” të KTV-së ka thënë se Vetëvendosje i ka dy plane përpara: luftimin e koronavirusit dhe zgjedhjet.

Ai gjithashtu ka theksuar se presidenti me deklaratat e tij sot ka treguar se është i gatshëm të shkelë Kushtetutën.

“Mendoj se duhet të ndjeken procedura e njëjtë si në kohën kur Vetëvendosje e mori pushtetin. Kushtetuta thotë se presidenti duhet t’i drejtohet fituesit të zgjedhjeve dhe të kërkojë që ta fitojë qeverinë, pra vendi nuk shkon automatikisht në zgjedhje. Presidenti ka dhënë shenja që i gatshëm me e shkelë kushtetutën që tha se po i thërras partitë politike, por sa të bën deklarata nuk është gabim por kur të merr vendim është. Nëse i kapërcen tre hapa, hapi i parë është me iu drejtuar VV-së”, u shpreh Konjufca.

Sipas tij presidenti nuk ka diskrecion për të anashkaluar fituesin e zgjedhjeve.

“VV-së i takon ta krijojë qeverinë e ardhshme. Presidenti nuk ka diskrecion, ai duhet t’i drejtohet Vetëvendosjes edhe njëherë, ose përndryshe e shkel Kushtetutën. Nëse VV-ja nuk mund ta krijojë qeverinë, pastaj fillon diskrecioni i presidentit, që është i diskutueshëm”, u shpreh ai.

Ai shtoi se është situatë krejtësisht ndryshe kjo tani, me atë të Haradinajt.

“Vendi i kryeministrit aktual nuk është thatë. Te Haradinaj kemi pasur dorëheqje dhe shpërbërje të Kuvendit, pra nuk është situata e njëjtë. T’iu kish referuar Haradinajt me herën e parë, ai e kish shkel Kushtetutën. Ky nuk është konsumim i dështimit të Vetëvendosjes për të krijuar Qeverinë. Situata tani është në zero, prandaj presidenti duhet t’i drejtohet VV-së”, ka thënë ai.

Ai thotë se zgjedhjet duhet të ndodhin që të qytetarët të vlerësojnë të gjithë.

“Për Vetëvendosjen janë dy plane përpara: e para është shëndeti i qytetarëve, derisa të kalojmë këtë pandemi, e dyta janë zgjedhjet, në mënyrë që qytetarët të mund të na vlerësojnë të gjithëve. Albin Kurti vlerësohet se si ka performuar si kryeministër, vlerësohet si e ka shkarkuar Veliun, e LDK-ja se ka hyrë në koalicion dhe e ka rrëzuar Qeverinë. Vetëvendosje dëshiron kalimin e situatës së koronavirusit. E pas kësaj menjëherë zgjedhje”, ka thënë Konjufca.

Ai ka shtuar se ende qëndron që Vetëvendosje s’bën koalicion me PAN-in.

“Ato mundësi tash janë 100 për qind, e kjo është në diskrecionin e Vetëvendosjes. Ato mundësi janë duke filluar me LDK-në e me partitë e tjera. Në interes të Kosovës nuk ka qenë interes të bëhet koalicion me partitë e PAN-it dhe mendoj se ky qëndrim nuk ka ndryshuar. Në këto kushte do të thosha se opsioni më i mirë është luftimi i suksesshëm i koronavirusit dhe zgjedhjet. Mirëpo, ne do të veprojmë sipas rrethanave”, u shpreh Konjufca. “Presidenti sot na ka treguar se ai është i gatshëm me e shkelë Kushtetutën. Ai sot ka thënë se do të thërrasë partitë politike”.

21:09

Konjufca: Hoti u shkarkua pasi ishte njeriu kryesor për rrëzimin e kësaj qeverie

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në “Desk” të KTV-së ka thënë se Avdullah Hoti u shkarkua nga posti i zëvendëskryeministrit të parë pasi ishte njeriu kryesor pas rrëzimit të qeverisë.

Ai thotë se autoriteti de jure i Kurtit është dobësuar, por ai de facto i është ngritur.

“Në kuptimin e kompetencës ligjore Qeveria dobësohet. Ka autoritet de jure, dhe de facto. De jure ta jep pozita, ta jep karrigia. Kurtit nuk i rrjedh autoriteti nga karrigia, por nga lidhja që ka me popullin. Autoriteti de jure i tij është dobësuar, por ai de facto i është ngritë”, u shpreh ai.

Ai thotë se Qeveria do t’i kryejë detyrat e saj për luftimin e koronavirusit.

“Sa i përket menaxhimit me krizën e shëndetësisë mendoj se Qeveria do të kryejë detyrën e tij. Ekonomia po dëmtohet në përmasa globale dhe kjo do të ndikojë edhe te ne. Ekonomia do të tkurret në minimumin e ekzistencës së vet. Është një krizë globale dhe kjo do ta prekë Kosovën, dhe tashmë po e shohim dhe kjo rënie do të vazhdojë mirëpo me rëndësi është që çdo shtet i ka reduktuar detyrat në funksione esenciale dhe po ashtu ekonomitë të kenë minimumin e prodhimit për të plotësuar nevojat parësore. Jam i bindur se nuk do të ndodhë shumë. Të gjitha parashikimet janë që koronavirusi në verë do të ketë një rënie”, ka thënë ai.

Ai thotë se ministrat e LDK-së do të duhet të vazhdojnë të mbajnë detyrën.

“Deri tash asnjë ministër i LDK-së nuk ka dhënë dorëheqje, mendoj se ata duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrën e tyre. Një pjesë e konsiderueshme të kohës edhe unë kam qëndruar në shtëpi. Por, edhe Mustafa tha se nuk do t’i dorëheqë ministrat, kurse edhe kryeministri ka vlerësuar ministrat e LDK-së. Kam kontakt me ministrat e LDK-së. Krejt kontaktet janë të fokusuar rreth përgjegjësive që ndajmë në këtë krizë. Do të ishte mirë që të qëndrojnë por, gjithçka varet prej tyre”, ka thënë Konjufca.

“U pa që ai (Hoti) ishte njeriu kryesor për rrëzimin e kësaj qeverie, nuk ka pse të jetë pjesë e kësaj qeverie aq më tepër kur përmend terma të tillë ndaj qeverisë dhe kryeministrit Kurti. Arsyetimet Hoti i ka dhënë në fjalimin e tij. Bile ai ishte njëri prej organizatorëve të mocionit. Problemi është këtu, se dikush prej një urimi fillon të vrapojë shpejt dhe pastaj merr në thua. Ai jeton në ëndrra për t’u bërë kryeministër, por kjo pa zgjedhje mendoj se është e pamundur. Hoti mund të dalë në zgjedhje”, u shpreh Konjufca.

20:46

Konjufca: Kalkulimi i LDK-së është afatshkurtër dhe gropë në të cilën do të bjerë vetë

Nënkryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, ka thënë se mocioni i mosbesimit për rrëzimin e Qeverisë u bë me qëllim të keq nga kryetari i LDK-së Isa Mustafa.

Ai thotë se ai e shfrytëzoi situatën e ngutisë përmes planit të ambasadorit Grenell, që ta godasë Vetëvendosjen, e para popullit të fitojë pikë.

Konjufca në emisionin “Desku” në KTV ka shtuar se ky kalkulim i LDK-së është afatshkurtër dhe një gropë në të cilën do të bie vet.

“Është turp t’i gënjesh qytetarët e Kosovës. Mustafa e ka ditur që po e shkel marrëveshjen e koalicionit, por ka thënë se ‘Grenelli po thotë kështu’. Ne kemi thënë që te Grenelli do të shkojmë përmes tre hapave. Ne kemi thënë që tarifa do të hiqet dhe do të bëhet reciprociteti. Me këtë ka kaluar edhe Vjosa Osmani. Çka po bënë tash LDK-ja, po i thotë Vjosa Osmanit ta hapim derën për të dalë nga partia. Ky është mashtrim ndaj qytetarëve”, ka thënë ai.

Konjufca ka thënë se LDK e shfrytëzoi Vjosa Osmanin për të mbledhur vota.

“Si mendoni ju, ta shfrytëzoni Vjosa Osmanin të mbledhin votat e pastaj 50 ditë pas kapërcimit të buxhetit e kthejmë kokën nga PAN-i”, ka thënë ai.

“Unë i shikova ato 45 vendimet që janë marrë brenda 50 ditëve. Duke filluar prej vendosjes së rendit dhe ligjit nëpër secilin institucion. Kur kam shkuar në MPJ, jam skandalizuar kur kam parë se si njerëzit janë bërë ambasadorë. Pa asnjë konkurs as procedurë. Kanë bërë ambasadorë të karrierës në këtë mënyrë. Në çdo institucion që kemi hy, e kemi gjetur në kësi gjendje. Çdo vendim me rëndësi ka shkuar jashtë procedurave ligjore.

Ai ka thënë se ministri i Mbrojtës, Anton Quni, në seancën e djeshme bëri me dije se ka pasur dy grupe të fuqishme brenda LDK-së, njëri pro koalicionit m VV dhe njëri kundër.

20:35

Konjufca e quan të pacipë mocionin e mosbesimit, thotë se Veliu e mori atë që meritoi

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca në emisionin “Desk” në KTV e ka quajtur të pacipë mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë, derisa shtoi se Agim Veliu e mori atë që meritoi.

Ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që edhe në të ardhmen të bashkëpunojnë me LDK-në.

“Ishte një storie e shkurtër. Nuk e përjashtoj mundësinë, mirëpo kjo që ndodhi dje ishte një mocion i pacipë, për shkak të kohës kur ndodhi. Të gjithë qytetarët janë shokuar me këtë verbëri të LDK-së mos me parë asgjë. As betejën globale ndaj koronavirusit që po merr me jetë njerëzish”, u shpreh Konjufca.

Ai thotë se numrat në nivel global nga koronavirusi janë shqetësuese, dhe është sëmundje kërcënuese për njerëzimin.

“Në kohën kur forcat politike dhe kundërshtarët më të mëdhenj bëhen bashkë për ta luftuar koronavirusin këtu e pamë një shou të LDK-së dhe e pashë se ka komente për këtë, prandaj do ta quaja mocionin më të pacipë në historinë e parlamentarizmit. Në periudha të këtilla të gjithë ulin flamujt partiak dhe dominon solidariteti”, ka thënë ai.

Konjufca shtoi se mocioni do të ishte normal në një kohë kur s’do të kishte koronavirus.

“Kur do të ishim në atë situatë kur njerëzimi do ta kuptonte se është duke e mundur sëmundjen atëherë do të ishim të gatshëm për një gjë të tillë. E një gjë e tillë është normale në vendet demokratike. Pra, kur nuk mund të arrish përpara projektet e përbashkëta, qeveritë vet e vendosin veten në mocion të mosbesimit. Por, shoku vjen për kohën kur është bërë, pra kurrfarë konsiderate për popullin”, u shpreh Konjufca.

Ai thotë se mjekët kanë të drejtë të jenë të zhgënjyer.

“Kanë të drejtë që të jenë të zhgënjyer (mjekët), sepse në këtë kohë kemi pasur nevojë për një qeveri me kompetenca të plota, për t’i kryer detyrat e saj që janë shumë të komplikuara. Pasi shtetet më të forta se ne nuk po arrijnë t’ia dalin ndaj koronavirusit”, ka thënë Konjufca.

Sipas tij LDK-ja ishte krejtësisht e sinkronizuar me presidentin në këtë kohë të koronavirusit.

“Kjo që ndodhi me Veliun lidhej pikërisht me një përpjekje që duke e keqpërdor gjendjen të cilën e ka shkaktuar koronavirusi, ishte përpjekje krejtësisht e sinkronizuar me presidentin. Kryeministri vetëm e ka njoftuar Mustafën. Sepse Kurti ka qenë i bindur se shkelja e Veliut nuk ka qenë e negociueshme, se argumentet e kujt po fitojnë. Mund të jenë disa situata më të ndërlikuara kur ti nuk e ke të qartë nëse ministri ka bërë shkelje apo jo aq sa për të thirrur atë. Formalitetin e ka bërë përmes njoftimit. Vetëm në këtë aspekt e ka konsideruar të arsyeshme dhe jo nëse Veliu e ka mirë apo jo”, u shpreh ai.

Sipas tij ishte mision i Veliut për të bërë obstruksion ndaj Qeverisë.

“Marrëveshjen Kurti e ka konsideruar në diçka më relative, se a është shkelje apo jo. Mendoj se ka qenë mision i qartë i Veliut prej se ka ardhur në krye të MPB-së. Nuk mendoj se ka qenë zgjidhje një kujdes irracional ndaj Veliut. Kjo është kompetencë e kryeministrit që të qeveriset dhe jemi dakorduar ku e bëmë programin qeverisës. Nëse për çdo javë ministri bënë obstruksion të qëllimshëm është normale që ai të shkarkohet. Ka ministra që shkarkohen sepse mund të ketë një plan të ndryshëm me kryeministrin. Qeveria nuk është forum i debatit, por ai është ekzekutim i detyrave”, ka thënë Konjufca.

Konjufca thotë se Veliu e mori atë që e meritoi.

“Ai e kishte pas idenë dhe e kishte fol me degët e veta se kjo qeveri nuk ka me pas më tepër se gjashtë muaj. Veliu e ka marrë atë që e meriton, dhe ky vendim mendoj se ka fljetë në zemrën e krejt qytetarëve. Për një ministër e prishi krejt qeverisjen. Ne nuk mund t’i përzihemi LDK-së, ajo vendos se a e ka mirë ministri i saj. Nuk ka lidhje me diktaturë, është procedura më demokratike në botë. Një ministër e ka mision për të obstruktuar kryeministrin. Krejt çfarë e kemi ditur se ai ishte në krye të grupit që ishte kundër koalicionit me Vetëvendosjen”, ka thënë Konjufca.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme