Arbëri

Vazhdohet vlefshmëria e letërnjoftimeve të skaduara dhe e lejeve të qëndrimit për të huajt

Descriptive Text

Ministria e Punëve të Brendshme dhe e Administratës Publike ka vendosur të shtyjë afatin e vlefshmërisë së letërnjoftimeve për shtetasit e Kosovës dhe të lejeve të qëndrimit për të huajt, për shkak të gjendjes së krijuar si pasojë e koronavirusit.

Njoftimi është bërë nga Zyra për Informim e kësaj ministrie të enjten.

“Ministria e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike njofton qytetarët se u.d. ministri, z. Xhelal Sveçla, ka nënshkruar vendimin ku të gjithë shtetasve të Republikës së Kosovës që iu ka skaduar apo iu skadon afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit, nga pamundësia që të vazhdojnë për shkak të situatës së paraqitur me virusin Covid-19, iu vazhdohet afati i vlefshmërisë deri në shfuqizimin e këtij vendimi. Gjithashtu, i njëjti vendim vlen për shtetasit e huaj të cilët kanë leje qëndrimin, mirëpo iu ka skaduar apo iu skadon afati i vlefshmërisë”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, vendimi është i bazuar në Ligjin për Organizimin dhe Funksionimin e Administratës Shtetërore dhe Agjencive të pavarura, Ligjin për Parandalimin dhe Luftimin e Sëmundjeve Ngjitëse, Ligjin për Mbrojtjen nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë Tjera.