Arbëri

BE-ja thotë se me rrëzimin e Qeverisë, Kosova u vu në situatë të vështirë politike

Foto: Reuters / ilustrim

Pasi nuk kanë mundur të parandalonin rrëzimin e Qeverisë në Kosovë, tash nga BE-ja po dërgojnë porosi që në hapat e ardhshëm të respektohet Kushtetuta.

Në kohën kur BE-ja, sikur edhe pjesët tjera të botës, po përballen me luftën kundër virusit, për çka sot do të zhvillohet edhe një samit përmes video lidhjeve i liderëve të BE-së, nuk ka pritur që në Kosovë të rrëzohet Qeveria dhe të ketë disktutim shumëorësh në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë Parlamenti Evropian ka reduktuar punën e tij, ndërsa edhe votimin e sotëm për masat urgjente e ka zhvilluar përmes internetit.

Komisioni Evropian, përmes zëdhënëses për çështje të zgjerimit, Ana Pisonero, ka vlerësuar se votimi i mbrëmshëm për rrëzimin e Qeverisë, ka vënë Kosovën në një situatë të vështirë politike në kohën e një krize të paparë deri më tash të shkaktuar nga koronavirusi.

Në këtë reagim të Komisionit Evropian, thuhet se ajo që Kosova tash ka nevojë është stabiliteti dhe që përpjekjet të orientohen drejt përballjes me krizën e shkaktuar nga koronavirusi dhe me mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.

“Të githë liderët politikë duhet të veprojnë tash me përgjegjësi dhe në interes të qytetarëve të Kosovës. Kjo përfshinë edhe ndërmarrjen e të gjitha masave për menaxhimin e pandemisë dhe pasojat në jetën e qytetarëve, shoqërisë dhe ekonomisë” thuhet në reagimin e Komisionit Evropian.

Komisioni Evropian bën thirrje që hapat që do të pasojnë votën e mbrëmshme duhet të ndërmerren në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Para dy ditësh, në pyetjen se çfarë mund të bëjë BE-ja për të parandaluar krizën politike në Kosovë pasi Qeveria vendosi për masat e kufizimit të lëvizjes, ndërsa Presidenti u bëri ftesë qytetarëve dhe policisë që të mos e zbatojnë atë vendim, Komisioneri i BE-së për Zgjerim tha se ai nuk kishte njohuri për këto zhvillime, por se do të interesohet.

Shumë diplomatë në BE, sikur edhe deputet të Parlamentit Evropian, kanë shprehur zhgënjim me liderët politikë në Kosovë për veprimet që kanë bërë ditëve të fundit. Në mesin e tyre janë edhe shumë miq të dëshmuar të Kosovës. Disa prej tyre madje thonë se ndoshta edhe situata e krijuar nga koronavorusi, si dhe pamundësia që bashkësia ndërkombëtare të jetë më aktive, ka stimuluar ata që kanë dashur të shfrytëzojnë këto rrethana për interesa personale dhe partiake.