Haxhiu: Do të kthehemi më fuqishëm, LDK-ja iu rikthye atyre që e zhvatën shtetin që 20 vite Foto: Driton Paçarada/ Koha Ditore

Haxhiu: Do të kthehemi më fuqishëm, LDK-ja iu rikthye atyre që e zhvatën shtetin që 20 vite

25 March 2020 23:49

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu përmes një postimi në Facebook ka thënë se do të rikthehen edhe më të fuqishëm, derisa shton se LDK-ja iu rikthye atyre që e zhvatën shtetin që 20 vite

Qeveria Kurti sot u rrëzua përmes mocionit të mosbesimit të iniciuar nga LDK-ja.

“Më 6 tetor, ju na dhatë mbështetjen për të qeverisur me vendin. Që nga 3 shkurti, ditën kur u votua Qeveria, ne kemi punuar pa u ndalur për të jetësuar programin e zotimet tona, me ndershmëri e përkushtim”, ka shkruar Haxhiu.

Tutje ajo ka shtuar se Qeveria u rrëzua nga plani ndërmjet Thaçit e Mustafës.

“Sot, Qeveria u rrëzua me mocionin e PLANifikuar nga Thaçi&Mustafa. LDK, sikur edhe herëve të tjera, iu rikthye gjirit të vjetër, iu rikthye atyre që e zhvatën shtetin që 20 vite. Ndryshimet që i nisëm për shtetin e së drejtës, zhvillimin ekonomik e mirëqenien, arsimin e shëndetësinë, na lanë në gjysmë, LDK tradhtoi besimin e qytetarëve”, ka thënë ajo.

Megjithatë, ajo thekson se do të rikthehen edhe më fuqishëm.

“Të dashur qytetarë, mos u dëshpëroni sepse ky shtet do të bëhet dhe do rikthehemi edhe më fuqishëm edhe më të fortë dhe atë shumë shpejt dhe do t'i vazhdojmë punët e mira që i kemi nisur”, ka shkruar Haxhiu.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme