Arbëri

Familja 11-anëtarëshe nga Vrapçiqi e infektuar me koronavirus

Foto: Reuters

Nga 26 rastet e fundit të rezultuara pozitive në koronavirus, 11 janë të një familje, ka njoftuar kryetari i komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se familja 11-anëtarëshe vjen nga fshati Vrapçiq i Gjilanit.

Sipas tij, të 11 familjarët janë infektuar nga një anëtare tjetër e familjes, e cila kishte ardhur më herët nga Gjermania.

“Apeloj qytetarët që të mos kenë kurrfarë shqetësimi sepse kemi marrë veprime për karantinim të plotë dhe menaxhim të situatës në vendet e prekura. Duhet të potencohet se Zhegra nuk e ka asnjë rast të ri pas testit të dytë sot, dhe pjesa tjetër e komunës është e paprekur”, ka shkruar ndër të tjera Haziri.

Me rastet e sotme, 26 në mbrëmje dhe 2 në mesditë, numri i përgjithshëm i të infektuarve në Kosovë është rritur në 61. Një person ka vdekur, të dielën, si pasojë e koronavirusit.