Arbëri

Ushtria e Kosovës, gati të marrë situatën në duar në rast të gjendjes së jashtëzakonshme

Forca e Sigurisë e Kosovës është pjesë e planit operativ të Qeverisë për parandalimin e përhapjes së pandemisë Covid-19.

Policia ushtarake e saj është parë duke patrulluar në kryeqytet e duke ua tërhequr vërejtjen qytetarëve të Kosovës që të mbajnë distancën me njëri-tjetrin, raporton KOHA.

Ndërkohë mëngjesin e së enjtes Forca ka vënë në gatishmëri edhe logjistikën e saj.

Kosovarët e kthyer në atdhe janë bartur me mjete të FSK-së në drejtim të karantinave, ku do të qëndrojnë për 14 ditë.

Të kontaktuar nga KOHA, Ministria e Mbrojtjes ka konfirmuar aktivizimin e ushtrisë në planin emergjent të Qeverisë.

Ata kanë treguar se Forca e Sigurisë e Kosovës është duke kryer operacione në mbështetje ushtarake për autoritetet civile në kuadër të Planit të gatishmërisë dhe reagimit për COVID-19, të nënshkruar nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Në përgjigje sqarohet se janë kryer operacione logjistike, si: mbështetje me tenda, kontejnerë, transport të udhëtareve, por edhe operacione të mbështetjes mjekësore.

“FSK-ja të gjitha lëvizjet e saj dhe mbështetjen që po jep është duke e bërë në koordinim të plotë me Qendrën e Situatave në Qeverinë e Republikës së Kosovës. Deri më tani ne kemi kryer operacione logjistike, (mbështetje me tenda, kontejnerë, transport të udhëtarëve), operacione të mbështetjes mjekësore dhe operacione në kuadër të Njësisë për Operacione me Civilët. FSK-ja të gjitha operacionet i realizon në kuadër dhe mbikëqyrje të plotë të Kontrollit Civil dhe Demokratik mbi Forcën”, ka thënë Zyra për Media e ministrisë së Mbrojtjes.

Ndërkaq, nëse Kuvendi i Kosovës do ta votojë dekretin e presidentit për gjendje të jashtëzakonshme, Ushtria nga reaguesi i tretë do të kalojë në të parin, duke marrë nën kontroll gjithë situatën.