Arbëri

Kurti: Jam i bindur se ka marrëveshje të gatshme midis dy presidentëve, po kërkohet të thyhet qeveria

Descriptive Text

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është shprehur i bindur se ka një marrëveshje të gatshme për dialogun me Serbinë.

Ai në Kuvend ka thënë se heqja e menjëhershme e tarifës 100 për qind është masë ekstreme.

“Mbajtja e tarifës 100 për qind e pa reciprocitet është pozicion ekstrem, pra të thuash tarifë 100 për qind e pa qarë kokën është pozicion ekstrem. Edhe heqja e plotë dhe e menjëhershme pa e vendosur e pa përmendur fare freciprocitetin po ashtu është pozicion ekstrem. Ne nuk duhet të jemi ekstremistë, ne duhet të jemi normal. Jam i bindur që ka një qëndrim normal e ky është zëvendësimi i tarifës me reciprovitetin dhe ka një qëndrim sublim normal e ky është zëvendësimi gradual dhe përgjatë kësaj do të krijoheshin masat e mirëbesimit për dialogun”, ka thënë Kurti.

LDK-ja fton Kurtin të veprojë: Kundërshtarët e heqjes së tarifës janë pakicë

Ai thotë se zgjedhje kishte garuar me reciprocitet.

“Ose krejt ose hiq, ose tash ose kurrë nuk bën, pra është e domosdoshme që të ikim prej këtyre pozicioneve ekstreme. Në fushatë kemi garuar me reciprocitetin, është e domosdoshme që për ndryshimin të kthehemi te qytetarët”, ka thënë Kurti.

Tutje ai ka shprehur bindjen e tij se ka një marrëveshje të gatshme të arritur ndërmjet presidentit Hashim Thaçi dhe homologut të tij serb, Aleksandar Vuçiq.

“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës e përmbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si kryeministër në mënyrë që të marrë fuqi ai që në emër të Kosovës në negociata sekrete ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialogë, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog”, ka thënë Kurti. “Edhe vetëm 10 për qind të ishin gjasat që ka marrëveshje të gatshme ne duhet të jemi tejet të kujdesshëm. E unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme. Ky është problemi”.

Tutje ai ka shtuar se është gabim pozicioni ekstremist.

“Nga shoqërimi dy vjeçar e gjysmë në sofrën e shkëmbimit territorial ka dalë një ujdi aty, por e keni vërejtur se çfarë ka thënë presidenti i Serbisë: Me kë të negociojë unë, me Kurtin në Bruksel apo me Thaçin në Washington. Me fjalë të tjera ai po thotë, edhe faktorëve ndërkombëtarë por edhe Kosovës, përcaktojeni cili. E për t’u përcaktuar ky i dyti në Washington kërkohet që paraprakisht të thyhet ky i pari në Prishtinë, kjo është e thjeshtë. Pra, duhet të thyhet kurrizi i kësaj qeverie, unë si kryeministër i ri, dhe më pastaj të thuhet në rregull – presidenti fitoi, marrëveshja në tavolinë dhe shampanja prapa. Mirëpo unë them jo, është gabim pozicioni ekstremist – as heqje tarife pa reciprocitet dhe as insistim në tarifë duke mos u angazhuar për reciprocitet”, ka thënë Kurti.

Kurti thotë se heqja e tarifës pa reciprocitet është shumë e dëmshme dhe do të ishte gabim historik.

“Është evidente që mua nuk më pëlqen çfarë po ndodhë, mirëpo ajo çfarë mund të ndodhë po u hoq tarifa pa reciprocitet është pakrahasimisht më e dëmshme, ai do të ishte një gabim i pafalshëm historik”, u shpreh Kurti.

Tutje ai ka shtuar se përkundër që dialogu ishte ndalur, negociatat nuk janë ndalur asnjëherë.

“Kur është vënë tarifa njëherë 10 për qind e pastaj 100 për qind, dy javë më vonë, nuk është vënë si pengesë për dialogun për shkëmbimin territorial, mirëpo ishte presidenti i Serbisë ai i cili tha se pa u hequr kjo tarifë unë nuk e filloj dialogun. Ama ndërkohë vazhduan negociatat sekrete. Pra, është vet presidenti i Serbisë ai që e futi veten në këtë kurth, e mbështeti veten në kënd në mënyrë që të mos mundet të dialogojë. Mirëpo, në atë kënd kishte një rrugë alternative megjithatë, e këto janë negociatat sekrete. Moti s’ka dialog, kurrë s’janë ndal negociatat sekrete”, ka thënë Kurti. “Edhe unë si kryeminsitër i Republikës së Kosovës kam shumë më shumë informacion tash sesa kur isha lider i opozitës”.