Arbëri

Qeveria përcakton 5 parime në dialogun me Serbinë

Pa dhënë shumë detaje, kabineti qeveritar ka miratuar programin qeverisës 2020-2023.

Por në dokumentin 45-faqesh të programit qeverisës që e ka siguruar KOHA, janë përcaktuar prioritet e Qeverisë, Vetëvendosje-LDK.

Në të janë shprehur zotimet për përmirësim të gjendjes në ekonomi, drejtësi, arsim e fusha të tjera.

Programi qeverisës ka paraparë qasjen e Ekzekutivit karshi dialogut me Serbinë, ku ky proces, sipas Qeverisë, do të zhvillohet në frymën e reciprocitetit, raporton Koha.

Programi qeverisës për dialogun përcakton 5 parime. Dialogu të udhëhiqet nga kryeministri dhe të ketë rezolutë apo platformë për dialog.

Gjithashtu është përmendur rishikimi i marrëveshjeve të arritura në bashkëpunim me BE-në, zëvendësimi i tarifës me reciprocitet dhe është premtuar transparencë e plotë në këtë proces.

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se programi qeverisës bazohet në marrëveshjen e koalicionit me LDK-në.

Tek kapitulli i sundimit të ligjit, Qeveria ka premtuar dekriminalizim dhe heqje të ndikimit të Ekzekutivit në sistemin e drejtësisë.

Qeveria ka premtuar se do ta bëjë procesin e vetingut në bashkëpunim me ndërkombëtarët. Në verifikim të sigurisë janë paraparë të hyjnë gjykatat, Prokuroria, Policia, AKI-ja, Dogana, Inspektorati Policor dhe Njësia e Inteligjencës Financiare.

Qeveria ka paraparë edhe themelimin e Gjykatës Komerciale dy shkallëshe.

Themelimi dhe funksionalizimi i saj, sipas Qeverisë, do të krijojë siguri juridike për bizneset vendore dhe investimet e huaja.

Pa u bërë tri javë nga shkarkimi i Bordit të Telekomit të Kosovës, Qeveria ka emëruar përbërjen e përkohshme të bordit të kësaj ndërmarrjeje.

Me bord të përkohshëm është bërë edhe ndërmarrja tjetër “Trepça”, pasi bordi i kaluar ishte shkarkuar një javë më parë nga Qeveria.

Qeveria e udhëhequr nga Kurti ka marrë vendim për emërimin e Naim Gashit drejtor të Agjencisë Kosovare të Akreditimit.