Arbëri

Veseli pranon të takohet me Kurtin por e kritikon për qëndrimet “anti amerikane”

Foto: Koha

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli ia ka kthyer letrën kryeministrit Albin Kurti i cili para pak ditësh ka kërkuar ta takoj për të diskutuar për dialogun, programin qeverisës, sfidat në shtetndërtimin demokratik, zhvillimi socio-ekonomik.

Kryeministri Albin Kurti u kishte dërguar më 28 shkurt ftesë ish kryeministrit Ramush Haradinaj dhe kryetari të PDK-së, Kadri Veseli. Haradinaj kishte pranuar publikisht se ka marrë letër nga Kurti porse s’i është përgjigjur.

Ndërkaq, në letrën që Veseli ia ka kthyer më 3 mars Albin Kurtit, të publikuar sot për media, Veseli citohet t’i ketë thënë se e mirëpret ta takojë në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës për të diskutuar për fuqizimin e pozicionit të Kosovës përballë Serbisë, por Veseli i ka shprehur shqetësime Albin Kurtit për qëndrimet anti amerikane të tij.

“Shpreh shqetësimin tim me mungesën e qëndrimeve tuaja të qarta dhe të paqëndrushme përballë Serbisë dhe kursit konfrontues me aleatin tonë strategjik - Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, thuhet ndër të tjera në letrën e liderit të PDK-së Kadri Veseli dërguar kryeministrit Albin Kurti.

Më tutje në këtë letër të Veselit thuhet se Kosova, jo vetëm sot, por edhe më parë, ka pasur dhe ka nevojën e dakordimeve të spektrit politik, sidomos për çështjet e rëndësisë nacionale.

“Por, të ftosh në takim konsultues dhe nga ana tjetër të marrësh në të njëjtën ditë vendime të njëanshme, kjo nuk i ndihmon nevojës së konsensusit nacional për temat që më keni ftuar në takim. Edhe njëherë, për hir të transparencës, edhe për hir të respektimit të hierarkisë institucionale, çështjet që keni kërkuar t’i flasim, si programi qeverisës, sfidat në shtetndërtimin demokratik, zhvillimi socio-ekonomik, konsideroj se e kanë vendin për debat në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Ndërsa, për tema të tjera, si politika e jashtme dhe se si ta forcojmë Kosovën përballë Serbisë, është i domosdoshëm bashkëpunimi dhe konsensusi nacional. Jam i gatshëm në çdo kohë t’ju pres në selinë e Partisë Demokratike të Kosovës, kurdo që ju të keni dëshirë për takim. Por po ashtu, edhe unë, në çdo iniciativë që do të ndërmarr në interes të vendit, do të ju drejtohem dhe vij për takim me Ju si kryeministër në Qeverinë e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Veselit.

Image