Abrashi thotë se Kurti shfuqizoi vendimet për duhanin pa analizë

28 February 2020 23:50
00:28

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi në Interaktiv të KTV-së ka thënë se vendimi i sotëm i Qeverisë për akcizën e duhanit është bërë pa ndonjë analizë.

Qeveria Kurti sot ka anë anuluar dy vendime të Qeverisë Haradinaj, që konsiderohej se ishin marrë për llogari të biznesit të Gazmend Abrashit, një prej këshilltarëve kryesorë të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj. Me to zvogëlohej akciza për duhanin.

Abrashi ka thënë se, “së pari nuk ka qenë vendim i Haradinajt, por i qeverisë së Kosovës, Inicimi i kësaj pune kishte filluar më 2015 nga LDK-ja. Veç një inicim që e ka bërë ajo është proceduar në qeverisjen Haradinaj”.

Abrashi ka 92 për qind të aksioneve në “Premium Tobacco Group”, fabrikë e vetme për prodhimin e cigareve në Kosovë. Atë e kishte privatizuar në vitin 2013, pas një varg dështimesh për riaktivizimin e saj. Biznesi ka për veprimtari edhe tregtinë me cigare dhe duhan.

Sipas tij me investimet e tij është rifunksionalizuar ajo fabrikë ku janë punësuar mbi 10 persona.

“Fabrika e duhanit, që unë e kam privatizuar në Gjilan, përkundër shumë dështimeve paraprake e kemi shti atë në funksion për ta sjellë në një nivel ku mund të jemi të barabartë me konkurrencën. Nëse metoda e përllogaritjes ka qenë ndryshe nuk do të thotë se kam paguar akcizë më shumë ose më pak. Ky ligj që u përfol shumë pat tendenca. Fabrika e duhanit për 11 muaj ka paguar 3.1 milionë euro shtetit. Kapitalin tim që e kam krijuar e kam bërë jashtë politikës. Kam qenë i vetmi këshilltar i Haradinajt që kam punuar pa kompensim”, ka thënë ai.

Sipas tij ky vendim i Kurtit ka ardhur ad-hok dhe nuk është analizuar.

“Jam i bindur që kryeministri Kurti nuk e ka analizuar këtë vendim, duhet të kalojë në Kuvend. Më vjen keq që prej se ka ardhur Kurti vendimet i merr ad-hok, pa një analizë paraprake dhe më çon mallin e vendimeve si në kohën e komunizmin. Totalisht i paqëndrueshëm raporti i sotëm i Qeverisë. Besoj se Parlamenti do t’i marrë të gjitha argumentet e komisionit paraprak dhe do të shohin se është bërë një gabim kardinal gjithmonë duke e vërtetuar atë se produkti vendor, punësimi i njerëzve, investimi i kapaciteteve dhe një tregim i suksesshëm është diçka që po kemi qejf me dëgju”, ka thënë Abrashi.

Ai thotë se i ka penguar çasja.

“Instalimi i kësaj prakse është e paprecedant. Ky vendim i tilla, unë nuk e paguaj akcizën, por e paguan qytetari i Kosovës. Ideja ka qenë që ne të punësojmë 10 mijë persona”, u shpreh ai.

Abrashi ka thënë se në rrjetin e marketeve të tij nuk ka produkte serbe.

“Me besimin më të madh në rrjetën time të marketeve nuk ka produkt të Serbisë. Sot, është krijuar një asi vetëdije e qytetarit që përkundër asaj që ai produkt do të vjen jam i bindur se qytetari i Kosovës ka shumë zgjedhje alternative. Qeveria e Serbisë është duke planifikuar që të mbështesë bizneset e saj si në marketing si në çmime”, ka thënë Abrashi.

23:50

Abrashi: AAK-ja ka argumente se heqja e tarifës është e gabuar

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, në Interaktiv të KTV-së theksoi se sot janë deponuar 41 nënshkrime të opozitës, e të hënën, pritet të nisin debatin kryesor në Kuvend për tarifën, pasi sipas tij "AAK-ja ka argumente të mjaftueshme të tregojë se heqja e saj është e gabuar".

Sipas Abrashit, tarifa duhet të mbetet derisa Serbia ta njohë Kosovën.

“Duhet negociata të bëjë Kurti, ne s’e pamë asnjë negocim madje as përputhje mes partnerëve të koalicionit”, u shpreh ai.

Abrashi, thotë se Kurti dikur vet ka protestuar për faktin se është e pabarabartë kundrejt Serbisë, ndërsa tash, po heq tarifën, ndonëse, ajo s’është hequr tërësisht.

“Ka protestuar edhe me kamionë, ka çuar mesazhe që atë kohë e kanë përkrahë”, tha Abrashi.

“Vendimet e para po i merr ato që nuk lidhen me kauzën që Kurti njihet që 10 vjet”, u shpreh Abrahshi.

Sipas tij, “produktet e Kosovës në atë kohë nuk kanë mundur të shiteshin në Serbi”. Ai thotë se pikërisht për këtë, qeveria Haradinaj ka vendosur tarifën 100 për qind.

“10 vjetët e fundit eksporti i produkteve serbe sillet diku 500 milionë euro, Kosova po vazhdon të jetë e pabarabartë në këtë aspekt”, u shpreh ai.

Sipas tij, “kosovarët vazhdojnë të jenë të nënçmuar nëpër pika kufitare”, duke aluduar se tarifa e vendosur, do ta ndihmonte edhe këtë aspekt, pra t’ua lehtësojë qytetarëve të lëvizin lirshëm nëpër vende tjera përmes pikave kufitare.

Abrashi ka kujtuar se së shpejti në Serbi janë zgjedhjet.

“Në Kosovë po veprohet kur Vuçiqit i duhet një përkrahje. Kurti ka sjellë një vendim që me datën 15 mars pjesërisht heq taksën. E data 1 prill, është caktuar qëllimisht kjo datë. Tarifa është instrument që e mbanë atë në lojë”, u shpreh Abrashi.

Sipas Abrashit, sensibilizimi i tarifës e solli Grenellin në Kosovë.

“Grenelli me shtytjen e tij i arriti tri marrëveshje”, u shpreh ai.

Abrashi thotë se SHBA-ja do të vazhdojë përkrahjen për Kosovë, dhe sipas tij, është krijuar një perceptim se Amerika po kritikon shumë Kosovën.

“Produkti më i mirë që ka bërë Amerika, është Kosova. Nuk ka shqiptar në Kosovë që nuk zgjohet pa flamur të Amerikës e nuk fle me të. Kosova duhet të jetë insistuese”, u shpreh ai.

Ai thekson se prej vendosjes së tarifës, kanë nisur ndryshimet në shumë aspekte.

“Çfarë parimi të reciprocitetit mund të përdorim ne nëse Serbia vazhdon edhe më tej me çnjohje. Sikur ne të kishim shpresë që është e barabartë, ne do të kishim zgjedhjen. Tarifa ka dhënë rezultatet e para”, u shpreh ai.

Abrashi, thotë se tarifa ka rritur edhe numrin e punëtorëve.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme