Arbëri

Qeveria i shfuqizoi vendimet që favorizonin biznesin e duhanit të këshilltarit të Haradinajt

Foto: Driton Paçarada / Koha

Janë anuluar dy vendime të Qeverisë së mandatit të shkuar, që konsiderohej se ishin marrë për llogari të biznesit të Gazmend Abrashit, një prej këshilltarëve kryesorë të kryeministrit të asaj kohe, Ramush Haradinaj. Me to zvogëlohej akciza për duhanin.

Ministri i Financave, Besnik Bislimi, ka arsyetuar nevojën për shfuqizimin e tyre.

“Të hyrat nga akciza janë ndikuar negativisht nga ky vendim. Duke marrë parasysh që është vetëm një fabrikë e duhanit në vend, e ka bërë këtë vendim shumë preferencial dhe të pabazuar në analiza paraprake”, ka thënë ministri Bislimi. “Ky propozim për t’i shfuqizuar këto vendime është në mbështetje të zhvillimit të sektorit privat, si dhe trajtimit të barabartë dhe të drejtë për të gjithë”.

Abrashi ka 92 për qind të aksioneve në “Premium Tobacco Group”, fabrikë e vetme për prodhimin e cigareve në Kosovë. Atë e kishte privatizuar në vitin 2013, pas një varg dështimesh për riaktivizimin e saj. Biznesi ka për veprimtari edhe tregtinë me cigare dhe duhan, shkruan sot “Koha Ditore”.

Në mandatin e shkuar, kur Qeveria është drejtuar nga Haradinaj, Abrashi ka qenë këshilltar për ekonomi i kryeministrit dhe për një kohë ishte caktuar edhe koordinator për Zhvillim Ekonomik në Qeveri. Në mandatin e tashëm ai është deputet i partisë së Haradinajt, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). E AAK-ja është në opozitë.

Duke u thirrur në burime brenda Qeverisë, “Koha Ditore” ka raportuar në numrin e sotëm se vendimet që favorizonin biznesin e Abrashit, do të anuloheshin.

Vendimi me numër 11/68 ishte marrë në mbledhjen e 9 tetorit të 2018-s, e me të ishin bërë ndryshime në një vendim të 2015-s, i cili vendoste normë të akcizës në duhan. Sipas kalendarit të akcizës që parashihej në të, norma e tatimit të akcizës për cigare që përmbanin duhan, nga 2016-ta do të ishte 41 euro për kilogram, dhe për secilin vit deri në 2019-n do të shtrenjtohej për nga dy euro për kilogram.

Por, Qeveria Haradinaj e kishte ndryshuar vendimin. Akcizën prej 45 eurosh për kilogram sa kishte mbërri në 2018-n, e kishte zëvendësuar me shumën prej 30 për qind të vlerës së cigareve. Dhe, kjo vlente vetëm për cigaret që prodhoheshin brenda shtetit.

“Norma e akcizës për cigaret e prodhuara në Republikën e Kosovës (Kodin tarifor 2402 2010 11 dhe 2402 2090 11) përllogaritet duke përdorur metodën sipas vlerës (ad valorem) dhe përllogaritja bëhet në çmimin e shitjes me pakicë me normë tridhjetë (30%) për qind në vlerën shitëse me pakicë”, thuhet në vendimin që mban firmën e Haradinajt.

Kësaj vendimmarrje i kishte paraprirë një tjetër, e marrë po nga Qeveria Haradinaj.

Më 11 shtator të 2018-s, Qeveria kishte nxjerrë një vendim, në bazë të të cilit aprovohej një koncept dokument për ndryshimin e politikave fiskale dhe bujqësore për prodhimin e duhanit dhe cigareve në Kosovë. Me të obligohej Ministria e Financave, ajo e Bujqësisë dhe institucionet terja kompetente që ta zbatonin vendimin. Ai kishte hyrë në fuqi ditën e nënshkrimit.

E, koncept dokumenti parasheh që, në vend të akcizës, e cila për cigaret paguhej në shumë prej 45 eurosh për kilogram, ndërsa për duhanin 35 euro për kilogram, parashihej që të aplikohet një taksë prej 30 për qind. Madje, konceptdokumenti parasheh të bëhet subvencionimi i duhanit.

Madje, në të ishte identifikuar biznesi i Abrashit si kryesori për duhanin.

“Përveç prodhimit të duhanit vendi ynë ka një traditë të gjatë edhe në prodhimin e cigareve. Fabrika e Duhanit në Gjilan ka një kapacitet për përpunim të duhanit prej 6,000 tonëve në vit dhe një kapacitet prodhues të cigareve prej 3,000 tonë në vit”, thuhet në Koncept Dokument.